Greqia nis dëbimin e emigrantëve drejt Turqisë

105

Varkat e para me emigrantë që po dëbohen nga Greqia kanë mbërritur në Turqi, në kuadër të planit të BE për lehtësimin e krizës së emigracionit në Europë.

Disa dhjetëra emigrantë, të hipur në tragete në ishullin e Lesbos kanë mbërritur tashmë në Dikili, në perëndim të Turqisë.

Agjencia e BE për kontrollin e kufirit, Frontex deklaroi për BBC se 131 persona u larguan nga ishulli helen të hënën në mëngjes, shumica e të cilëve nga Pakistani.

Ndërkohë, një tjetër traget i mbushur me emigrantë pritet të niset drejt Turqisë nga ishulli i Kios. Emigrantët në Greqi janë ankuar për mungesë informacioni lidhur me procedurën e azilit dhe disa kanë deklaruar se nuk janë në dijeni as nëse do të dëbohen.

Marrëveshja e arritur muajin e kaluar mes BE-së dhe Turqisë është kritikuar ashpër nga grupet e djathta dhe ekzistojnë shqetësime për mungesë përgatitjeje në zbatimin e saj.

Faktikisht, Frontex ka më pak se një të dhjetën e stafit që duhet për të çuar punën në fund, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Në bazë të marrëveshjes, emigrantët që mbërrijnë në mënyrë ilegale në Greqi pritet të kthehen mbrapsht në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil, ose nëse apeli i tyre refuzohet.

Për çdo emigrant sirian që kthehet në Turqi, BE duhet të pranojë një tjetër sirian që ka bërë kërkesë legjitime për azil. Në kuadër të marrëveshjes, Turqia ka përfituar konçesione financiare dhe politike.