Gnoochi: Kosova përfiton nga MSA-ja me një administratë të depolitizuar

101

Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA), është një rast i mirë që ofron mundësi për zhvillimin ekonomik, por Kosova ka nevojë për një administratë publike të depolitizuar dhe pa funksionalizimin e saj në mënyrë efektive, vendi do të ketë vështirësi të përfitoje në përmasa të mëdha nga kjo marrëveshje.

Kështu tha Thomas Gnocchi, Udhëheqës i Seksionit Ekonomik dhe i Integrimeve Evropiane nga Zyra e BE-së, i cili foli për MSA-në dhe impaktin, sipas perspektivës së BE-së në tryezën e organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së me temën “Diskutime në BE: Çarë është impakti i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në ekonominë vendore”.

Gnoochi tha se marrëveshja asimetrike ka qasje të pakufizuar dhe i jep qasje të prodhimeve bujqësore, dhe, sipas tij, integrimi i ekonomisë së Kosovës duhet të bëhet me standardet e kërkuara sa më shumë që është e mundur.

Ai tha se përafrimi standardeve për produktet, duhet të jetë me produktivitetin e prodhimeve kosovare për sigurinë e konsumatorëve kosovarë dhe të atyre në BE.

Ai, duke folur për përfitimet tha se MSA është një rast shumë i mirë dhe nëse kjo marrëveshje përdoret në mënyrë efikase dhe proaktive, sipas tij, ofron mundësi për të stimuluar zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse me qasjen e tregut të lirë në Evropës, po zgjeron edhe tregun e Kosovës. Gnooch tha se institucionet efikase janë kruciale për implementimin e marrëveshjes së suksesshme të MSA-së.

“Kosova ka nevojë për një administratë publike të depolitizuar… dhe pa funksionimin efektiv të administratës publike, Kosova do të ketë vështirësi që të përfitoj shumë nga kjo marrëveshje. Kapacitetet dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë duhet ende të forcohen. Mbetet një nga sfidat më të mëdha në këtë kontekst lufta ndaj krimit të organizuar që duhet fokusohet edhe më tutje”, tha Gnocchi.

Kjo ngjarje synon të zbërthejë impaktin e MSA-së në aspektin ekonomik dhe implikimet e saj thelbësor për zhvillimin ekonomik. Diskutimi u fokusua veçanërisht në fushën e liberalizimit të tregut, përafrimit të legjislacionit, rregullat e konkurrueshmërisë dhe aktivitetet për promovimin e investimeve, siç është përcaktuar në kuadër të MSA-së. MSA e cila pritet të hyj në fuqi në prill nuk do të paraqesë rrezik për industrinë e Kosovës, meqë janë përshkallëzuar produktet për liberalizim të tregut.

Ish ministri i MTI-së, Bernard Nikaj, tha se MSA eshte marrëveshja më e mirë e mundur dhe, sipas tij, duhet të implementohet me seriozitet nga të gjithë, si nga shoqëria ashtu edhe nga institucionet e shtetit. Sipas tij, marrëveshja do të preke çdo pore të jetës tek konsumatori.

Nikaj tha se do të ketë treg unik në shtetet evropiane, dhe sipas tij, MSA është edhe një aleat për konsumatorët për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe rregullon konkurrencën e lirë dhe prokurimin publik.

Për ndikimet e MSA-së në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, rregullat e origjinës dhe procedurat doganore me impakt ekonomik, ka folur Naim Huruglica, ekspert i Tregut Evropian dhe ish-Drejtor i Doganave të Kosovës, i cili tha se me këtë marrëveshje për herë të parë lejohet që një kompani vendore kosovare të importojë lëndët e para dhe të bëj një fazë të përpunimit në Kosovë dhe atë produkt final ta kthen përsëri në tregun e BE pa paguar as një taksë. Por, Huruglica sa i përket raporteve tregtare aktuale tha se janë tepër diferenciale karshi importeve.

Drejtori i KIESA-s, që është në kuadër të MTI-së, Besian Mustafa tha se ndikimet e MSA-së do të jenë edhe në rritjen e investimeve të huaja. Ai ka treguar se janë të gatshëm të kontribuojnë si Agjenci për Promovimin e Invetimeve të Huaja për implementimin e kësaj marrëveshje që është mjaft e rëndësishme për Kosovën. /KosovaPress/