Gjumi i mirë natën mund t’ju ndihmojë ta luftoni kancerin e prostates

133

Gjumi mund t’i ndihmojë meshkujt të mbrohen nga kanceri agresiv i prostatës, thonë shkencëtarët.

Niveli i lartë i të melatoninës, e ashtuquajtur “hormoni i gjumit” është i lidhur me uljen deri në 75 përqind të rrezikut nga forma e avancuar e kësaj sëmundjeje, thonë studimet. 

Niveli i ulët i melatoninës në mënyrë tipike është i lidhur me problemet me gjumin. Shkencëtarët tani mendojnë se melatonina gjithashtu mund të ndihmojë në rregullimin e hormoneve të tjera për të cilat dihet se luajnë rol në kancerin e gjirit dhe atë të prostatës. Në të ardhmen, testimi i melatoninës tek pacientët mund të identifikojë meshkujt që janë më në rrezik ndaj avancimit të shpejtë të sëmundjes.

Studimi është kryer nga Universiteti i Harvardit. Sarah Markt, udhëheqëse e këtij studimi, thotë: “humbja e gjumit dhe faktorë të tjerë mund të ndikojnë në zvogëlimin e sekretimin e sasisë së melatoninës ose bile edhe ta bllokojnë atë tërësisht, dhe problemet shëndetësore të lidhura me nivelin e ulët të melatoninës, si problemet me gjumin dhe të tjera janë të shumta dhe përbëjnë një faktor potencial rreziku për kancerin”.

Studimi ka përfshirë 928 meshkuj të cilët janë pyetur për cilësinë e gjumit të tyre dhe të cilëve u është testuar urina për të matur nivelet e melatoninës. Meshkujt të cilët kanë raportuar se marrin barëra për gjumë dhe kanë pasur probleme për të rënë në gjumë ose rrinë fjetur, kanë pasur dukshëm sasi më të ulëta të melatoninës. Gjatë një periudhe prej shtatë vjetësh, 111 prej këtyre meshkujve kanë pasur kancer të diagonostifikuar të prostatës, përfshirë 24 meshkuj kanceri i të cilëve kishte avancuar. Meshkujt të cilët kanë pasur nivel më të lartë të melatoninës se mesatarja ishin për 75 përqind më pak të prirur të zhvillojnë kancer të avancuar të prostatës se sa ata me nivel më të ulët.

Ky studim është prezantuar në konferencën e Fondacionit për Hulumtime të Kancerit të Prostatës të Shoqatës Amerikane për Studime të Kancerit, të mbajtur në San Diego gjatë muajit shkurt.

Më shumë se 40,000 meshkuj diagnostifikohen me kancer të prostatës çdo vit në Britani, dhe 10,000 vdesin nga kjo sëmundje.

Kanceri i prostatës mund të shfaqet si një formë beninje me rritje të ngadaltë, por në momentin kur sëmundja shpërndahet edhe në inde të tjera ka shumë gjasa që të jetë fatale. Deri më tani nuk ka ndonjë mënyrë të besueshme për të dalluar kancerin e prostatës me rritje të ngadalë nga format më agresive të tij, që do të thotë se për meshkujt është e vështirë të vendosin nëse duhet të “shohin e bëjnë” ose të ndërmarrin hapa për ndonjë trajtim me rreziqe serioze anësore.

Mathew Hobbs, zëvendës-drejtor i Qendrës së Hulumtimeve për Kancerin e Prostatës në Britani, thotë: “është me rëndësi fundamentale që të përmirësojmë aftësinë tonë për të dalluar se cilët meshkuj janë më në rrezik nga shpërndarja agresive e kancerit në pjesë të tjera të trupit nga ata që kanë rrezik më të ulët nga kjo, pasi që do t’ia mundësonte të dy grupeve që të marrin vendime më të mira për alternativat e tyre për trajtim”.

Megjithatë, ka shtuar ai, të gjeturat e deritashme mbi ndikimin e nivelit të melatoninës, duhet të replikohen për të konfirmuar nëse ai me të vërtetë ka ndikim në rrezikun e avancimit të kancerit të prostatës.