Gjilani – Hajvalia, klubet japin verzionet për ndërprerjen e ndeshjes

225

Incidentet në futbollin kosovar nuk dinë të ndalen asnjëherë. Ende pa filluar sezoni i ri, të mërkurën është ndërprerë ndeshja miqësore ndërmjet Gjilanit dhe Hajvalisë.

Në fakt, kur po zhvillohej minuta e 36-të, teksa rezultati ishte i barabartë pa gola, 0:0, ndodhi një incident, i cili rezultoi me ndërprerje të lojës.

Futbollisti kongolez i Hajvalisë, Victor, është sulmuar fizikisht nga lojtari i Gjilanit, Ylber Kastrati, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, ky i fundit e kishte pësuar një ndërhyrje nga kongolezi, me ç’rast e kanë lëshuar nervat dhe e ka shqelmuar lojtarin e huaj.

“Ishte duke u luajtur minuta e 36-të kur u ndërpre loja. Lojtari ynë e bëri një start dhe më pas futbollisti i Gjilanit e sulmoi fizikisht, duke e shqelmuar. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me futbollin. Kemi udhëtuar 50 kilometra dhe ja si na kthyen në fund. Më vjen keq, pasi në Gjilan kemi shumë miq”, deklaroi për “Zërin”, trajneri Synaj Keçi.

“Ne automatikisht vendosëm të mos e vazhdojmë lojën pasi aty më s’mund të luhej, u prish gjithçka. Të sulmohet një lojtar i huaj, kjo nuk është aspak në rregull. Është për keqardhje”, ka vazhduar Keçiz

Edhe kapiteni i Hajvalisë, Gëzim Gashi e arsyeton vendimin e trajnerit Keçi, pasi mendon se ka mundur të shkonte edhe më keq deri në përfundimin e lojës.

“Pasi lojtari i Gjilanit i mëshoi lojtarit tonë, filloi kacafytja në mes të lojtarëve dhe u krijua një tollovi. Trajneri ynë e pa të arsyeshme ta ndërpriste lojën dhe me të drejt veproi. Më mirë që u ndërpre loja sesa të vazhdonte dhe më pas të shfaqej ndonjë ngjarje që nuk i ka hyje dy ekipeve”, deklaroi mbrojtësi i majtë prishtinas.

Gjilani: Ishte kacafytje, s’duhej të ndërpritej loja

Nga ana tjetër, versioni i gjilanasve është goxha më i butë. Ata konsiderojnë se ishte një kacafytje në mes të dy lojtarëve dhe se ndeshja nuk duhej të ndërpritej.

“Lojtari i Hajvalisë intervenoi në mënyrë të ashpër ndaj lojtarit tonë dhe më pas pati kacafytje në mes tyre. Por, nuk kishte arsye të ndërpritej loja nga trajneri i skuadrës mysafire. Është referi ai që e ndërpret lojën nëse konsideron se është e nevojshme. Në këtë rast, mund të përjashtohen lojtarët me kartonë të kuq, e asgjë më shumë”, u shpreh për gazetën, drejtori i Gjilanit, Agron Korça.

Ka pak muaj që Kosova është pranuar në UEFA e FIFA dhe tash, më shumë se kurrë, futbolli kosovar ka nevojë për qetësi dhe të jetë sa më larg problemeve dhe incidenteve. Shpresojmë që ky të ketë qenë rasti i fundit negativ për sezonin e ri, kur skuadrat kosovare pritet të dalin në arenën ndërkombëtare.