Gazetarët reagojnë ndaj deklaratave të Munishit

170

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës ka reaguar ndaj trajnerit të Hajvalisë Ismet Munishi pas akuzave të tij se gazetarët nuk po e pasqyrojnë realisht futbollin në Kosovë.

SHGSK ka ftuar Munishin që nëse ka ndonjë fakt apo blerje të ndeshjeve të adresohet në gjykatë dhe të merren organet kompetente me të.

SHGSK konsideron se akuza të tilla janë të papranueshme.

Ky është reagimi i plotë i SHGSK-së:

“SHGSK reagon ashpër ndaj trajnerit të FC Hajvalia, Ismet Munishi. SHGSK-ja, ndihet e ofenduar rëndë pas akuzave të trajnerit Munishi i cili pas ndeshjes Prishtina – Hajvalia e zhvilluar më 17 prill 2016 në Prishtinë, akuzoi gazetarët, që sipas tij, për mos pasqyrim real të futbollit të Kosovës dhe mos publikimin e fakteve për shitblerjen e ndeshjeve.

Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës ndjen detyrim ta ngrisë zërin dhe t’i del në mbrojtje gazetarëve për shkak se shumica e tyre e bëjnë këtë punë me ndershmëri të lartë dhe paanshmëri.

E ftojmë Munishin që nëse ai ka ndonjë fakt apo material për blerje apo shitje të ndeshjeve të futbollit në vendin tonë, këtë çështje ta adresojë në gjykatë dhe të merren organet kompetente me të.

SHGSK-ja konsideron se akuza të tilla ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe njëkohësisht apelon tek të gjithë që të çmohet puna e gazetarit sportiv në Kosovë e poashtu ftojmë në bashkëpunim në dobi të sportit në përgjithësi e futbollit në veçanti”.