Futbollistja kosovare: Karrierën e kam filluar me djem, Kosovën e zgjodha sepse e kam në zemër!

228

Erëleta Memeti, që nga fëmijëria ka nisur ta godiste topin drejt portës. Është 21-vjeçare dhe luan në ekipin e madh gjerman, Freiburg.

Shprehja se “futbolli është sport më i bukur në planet” nuk vlen vetëm për meshkujt. Tashmë është edhe një numër i madh i futbollisteve, të cilat ëndrrën e tyre po e bëjnë realitet. Një nga to është edhe kosovarja, Erëleta Memeti, e cila që nga fëmijëria ka filluar ta godiste topin drejt portës. Ajo nisi të luante futboll pasi prindërit e panë talentin e saj. Karrierën e filloi duke luajtur me djem.

“Në familjen tonë, futbolli është një sport i dashur dhe vëllai im ishte në një klub të futbollit. Në kohën e lirë, ne luanim së bashku dhe prindërit e mi e kishin vërejtur se kisha talent në këtë sport. Një ditë, babai im e pyeti trajnerin, i cili ushtronte moshataret e mi, të cilët ishin djem. Por, unë si vajzë e kisha problem të luaja me meshkuj. Megjithatë me lejen e trajnerit, unë vazhdova stërvitjen në prani të babait tim. Trajneri ishte i befasuar me lojën që unë bëja”, ka thënë Memeti.

Futbollistja kosovare luajti për Kombëtaren e Gjermanisë, por në momentin që Kosova i bëri ofertë, ajo nuk hezitoi dhe pranoi “Dardanët”.

“Gjaku nuk është ujë. Kosovën e kam në zemër kudo që shkoj. Karriera ime ka një bagazh të madh. Me shumë sakrifica kam luajtur futboll me meshkuj deri në moshën 17-vjeçare. Në këtë moshë jam larguar nga familja ime dhe kam jetuar vetëm. Më është dashtë me u organizuar mirë për të pasur sukses në futboll. Këtu mund ta veçoj se familja ime më ka dhënë përkrahje të madhe edhe pse isha shumë e re, ata ishin të bindur për disiplinën time që e kisha bërë në futboll. Për të luajtur me Gjermaninë ka qenë një konkurrencë e lartë. Në Duisburg kanë qenë duku 270 garues futbolliste. Është dashur të arrija në mesin e 30 më të mirave dhe këtë e kam arritur. Të luash me Gjermaninë ishte një arritje e veçantë, por kur është dashur të vendosja se a për Gjermaninë, apo për Kosovën, thash se gjaku nuk është ujë dhe zemra ma donë Kosovën, aty nga i kam rrënjët. Ne jetojmë në diasporë dhe vendimi është i çartë, por ndoshta në Kosovë ju duket e çuditshme, por kjo është Shqiptaria”, tregon Erëleta për IndeksOnline se a ishte i vështirë vendimi për ta zgjedhur Kosovën.

Duke e parë që Erëleta është rritur me futbollin europian dhe me kushtet e mira që i posedon shteti i Gjermanisë, ajo thotë se edhe në Kosovë nuk mungon talenti. Madje thotë se te Kombëtarja e grave kushtet janë shumë cilësore.

“Në Kosovë ka talente për futboll. Punët po ecin mbarë dhe jemi të vetëdijshme se janë vetëm fillimet e para. Por me privilegj të madh ne do ta nisim këtë histori, që këtë pavarësi ta zbukurojmë me suksese. Është kënaqësi e veçantë, ngrohtësia nga bashkëlojtaret që afrohet aty. Është një udhëheqje shumë e respektuar, të cilat e dashurojnë futbollin dhe Kosovën me zemër. E veçoj selektoren, Afërdita Fazlija e cila bën një punë të palodhshme. Shpresoj se në të ardhmen nuk do të na pengoj Covid-19 dhe ne të arrijmë suksese të mëdha. Kushtet nuk mungojnë si Kombëtare, kurse si Federatë nuk kam shumë njohuri”, vazhdoi tutje 21-vjeçarja.

Cristiano Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimoviç janë dy lojtarët meshkuj që e inspirojnë Erëletën të vazhdoj me performanca cilësore. Ajo po ashtu ka idhull edhe ish-futbollisten e Kombëtares së Gjermanisë, shqiptaren, Fatmire Bajramaj.

“Nuk kam saktësisht ndonjë lojtar të preferuar, por kam disa idhuj. Ronaldo është një nga ta, për shkak të punës që bën. Ai gjithmonë ka bërë më shumë se të tjerët dhe për shkak të kësaj ka arritur sukses. Ibrahimovië është i administrueshëm për shkak të forcës mentale. Kurse më pëlqen loja e Marcus Rashford. Por, si fëmijë unë kam qenë adhuruese e Fatmire Bajramaj, e cila ka bërë karrierë në Gjermani”, tha futbollistja e Freiburgut.

Memeti po shkëlqen të Freiburg. Ajo në të ardhmen dëshiron vetëm t’i arrijë synimet në fushën e futbollit por edhe jashtë saj. Gjatë muajit shtator të këtij viti, Erëleta po planifikon të filloj studimet, pasi sipas saj futbolli nuk zgjatë tërë jetën.

“Unë dua që të punoj dhe t’i arrij synimet. Kam dashur të luaj në Bundesliga dhe ja kam arritur synimet. Në Freiburg punët po shkojnë shumë mirë. Bundesliga është shumë profesionale me një konkurrencë të jashtëzakonshme. Gjatë muajit shtator do të filloj studimeve, pasi edhe shkolla është primare. Futbolli nuk është i gjatë, prandaj duhet të kesh përgatitje tjetër profesionale”, vazhdoi tutje futbollistja e Kombëtares së Kosovës.

Mesfushorja tregon cila ka qenë ndeshja e saj më e mirë që e ka zhvilluar me Kombëtaren e Kosovës. Në këtë tregim, ajo rrëfen edhe një emocion që e ka pasur në ndeshjen ndaj Estonisë. Si bëri kinse po flet me Vokrrin, dhe i kërkoi ndihmë nga lartë, shprehet futbollistja:

“Çdo lojë që luaja për Kosovën kishte diçka të veçantë dhe shoqërohej me shumë emocione, por një ndeshje është e paharrueshme dhe ajo ishte ndeshja në shtëpi kundër Estonisë. Për shkak të  virusit Corona, asnjë nga lojtaret nga diaspora nuk mund të vinte, vetëm një bashkëlojtare dhe unë. Ishte gjithashtu e vështirë për mua të vija në këtë grumbullim sepse udhëtimi solli shumë vështirësi për shkak të virusit Corona, por dëshira dhe vullneti për lojën ishin më të fuqishme se sa frika nga virusi.

Kemi pasur stërvitje te pakta para ndeshjes dhe kam pasur probleme muskulore që më kufizuan pak, përveç kësaj dhe mungesa e lojtarëve të rëndësishme te ekipit ishte vështirësia më madhe. Kam pasur një ndjenje jo të mirë deri në ditën e ndeshjes. Gjatë treningut, pata dhimbje shumë të forta me muskujt dhe nuk isha e sigurt nëse mund ta kisha performancën time më të mirë. Përveç kësaj, mediat bënin presion sepse ata prisnin shumë nga ana ime! Megjithatë momenti erdhi,  koha për të hyrë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe unë isha shumë nervoz! Himni kombëtar filloi të luante dhe unë kisha në mendje legjendën Fadil Vokrri dhe sikur e thirra “nëse jeni këtu ju lutemi na ndihmoni ta fitojmë këtë lojë dhe të na jepni shumë forcë”. Kur mbarova këtë fjali, një erë erdhi nga askund dhe mora një drithërim në trup. Ndjeva se ai ishte me ne dhe gjeta një forcë, një ndjenjë të mirë për në lojë.

Loja ka filluar dhe ne kemi vazhduar me një mentalitet të fortë deri me fund. Ne fituam ndeshjen 2:0 dhe unë i bëra të dy asiste . Pas  lojës kam thënë se kjo fitore shkon për gjithë ata që kanë rënë për Lirinë e Kosovës, sepse ndjeva sikur edhe unë bëra diçka të mirë për vendin tim dhe fitorja u dedikua për të gjithë ata që kanë humbur të afërmit e tyre në luftë”, përfundoi kosovarja.

Erëleta karrierën e nisi te klubi i VfL Sindelfingen, kurse në vitet 2017/18/19/20 luajti për Wolfsburgun. Te Kombëtarja e Gjermanisë, Memeti luajti për dy grupmosha, atë të U19 dhe U20.