Futbolli shqiptar: “Rekord” me 30 kosovarë dhe 21 brazilianë në elitë

200

Kategoria Superiore për pjesën e dytë të sezonit 2015-2016, si asnjëherë tjetër, do të ketë futbolli shqiptar30 lojtarë nga Kosova, por gjithashtu edhe 21 nga Brazili.

Afati i janarit i ka parë 10 klubet e Superiores të orientuara më shumë drejt tregut kosovar dhe atij amerikano-latin.

Natyrshëm “ligjin” e bëjnë kosovarët, që jo vetëm kanë ardhur duke u shtuar në Superiore, por janë pjesë shumë e rëndësishme në skuadra si Skënderbeu, Partizani, Tirana, Kukësi, Laçi, Vllaznia, Bylisi, Tërbuni dhe veçanërisht Flamurtari.

Përveç dyndjes së kosovarëve dhe brazilianëve, vihet re një shtim i nigerianëve, teksa aktualisht janë 9 lojtarë nga shteti afrikan që militojnë në Superiore. Goditja më e madhe në këtë merkato ishte pikërisht ajo e sulmuesit nigerian të Laçit, Xhejms Adeniji, i cili u transferua te Skënderbeu për 150 mijë euro.

Natyrisht, pjesë e kampionatit shqiptar prej vitesh janë edhe lojtarët e vendeve sllave. Nga Serbia aktualisht aktivizohen 7 futbollistë, ndërsa 6 janë nga Mali i Zi dhe 5 nga Krocia.

Shqiptarë të Maqedonisë në Superiore janë vetëm 6, teksa goditja më e bujshme ishte ajo e Kukësit me sulmuesin nga Tetova, Izair Emini.