Fundjava me ndeshje interesante në Superligë

112

Në fundjavë luhen ndeshjet e xhiros së 27-të (të parafundit) të stinorit të rregullt të Superligës A të Kosovës në hendboll.

Të shtunën janë ndeshjet Kastrioti – Besa Famgas (18:00) dhe Trepça – Prishtina (19:00). Ndërkohë të dielën është takimi Drenica – Vëllaznimi (17:00).

Besa Famgas ka fituar të gjitha 26 ndeshjet e deritashme dhe ka siguruar pozitën e parë për plejof. Por pejanët synojnë fitoren e radhës, kurse synim e kanë që ta mbyllin edicionin me vetëm fitore. Besa udhëheq me 52 pikë, ndërsa Kastrioti është i katërti me 26 pikë.

Më shumë rivalitet shpresohet të ketë në ndeshjen që zhvillohet në Mitrovicë në mes të Trepçës e Prishtinës. Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave shpesh kanë qenë interesante dhe një e tillë mund të jetë edhe kjo që luhet të shtunën. Prishtina është e dyta me 41 pikë derisa Trepça renditet e treta me 28 pikë.

Në Superligën B luhet java e 24-t, përkatësisht java e fundit. Të shtunën është ndeshja Zhegra – Llapi (12:00), derisa të dielën nga ora 15:30 takohen Prizreni e Vushtrria.

Tabela nuk do të ndryshojë. Zhegra është e para me 23 pikë, Llapi i dyti me 20 pikë, Vushtrria e treta me 16 pikë dhe Prizreni i katërti me vetëm 3 pikë.