FSUNK-ja e përmbylli suksesshëm Ligat Universitare dhe Kampionatin e BeachVolleyt

133

Në një ambient të mbushur me studentë dhe drejtues të sportit vendor, u ndanë shpërblimet për triumfuesit e Ligës Universitare në Futsal, Ligës Universitare në Pingpong dhe të Kampionatit në Beach Volley.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet përmbyllës ishin: kryetarja e FSUNK-së, znj. Diellza Shaqiri – Kelmendi, anëtarët e Bordit Drejtues dhe sekretarja e Federatës Venita Smakaj, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Fitim Arifi, nënkryetarja e Komitetit Olimpik të Kosovës, znj. Mimoza Shkodra, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, z. Edmond Thaçi dhe përfaqësues të tjerë.

Liga Universitare e nisur me 5 mars 2020, dhe e pezulluar për një kohë si pasojë e pandemisë Covid-19, na ka shoqëruar gjatë tre muajve të kaluar, duke i mundësuar studentëve aktivitete në sportin në të cilin janë angazhuar, rrjetëzim dhe mundësi për të u promovuar më tepër vetiu, si ekip, por edhe për të promovuar sportin tek studentët, që përkon me vetë qëllimin e FSUNK-së.

Ekipi fitues i Ligës Universitare në Futsal është UP FEFS 2, ndërkaq golashënuesi i Ligës u zgjodh studenti Altin Imeri, me gjithsej 12 gola të shënuara.

Për suksesin e shënuar në Ligën Universitare në Pingpong, u shpërblyen: UP FEFS (Meshkujt) dhe UP FEFS (Femrat).

Ndërkaq, fituesit të cilët do të përfaqësojnë studentët kosovarë në Kampionatin e Sportit Universitar në Shqipëri, të cilët janë njëherësh fitues të Kampionatit të Beach Volleyt, janë: Dhurata Sylejmani dhe Valmira Ramadani – në konkurrencen e femrave, si dhe Arti Terstena dhe Ermal Maliqi – në konkurrencën e meshkujve.

E lumtur për organizimin e suksesshëm të këtyre aktiviteteve të rëndësishme për sportin universitar u shpreh presidentja Diellza Shaqiri-Kelmendi. Ajo theksoi që të gjitha këto aktivitete patën sfidat e tyre, por rezultati që dhanë, si dhe entuziazmi që lojërat falën tek studentët dhe organizatorët, paraqesin një sukses të radhës për FSUNK-në.

Federata falënderon studentët për vullnetin e shfaqur dhe suksesin e shënuar, universitetet partnere dhe të gjitha palët e përfshira në realizimin e suksesshëm të Ligave Universitare dhe të Kampionatit të BeachVolleyt. FSUNK-ja edhe më tutje do të vazhdoj me organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat synim parësor kanë promovimin e sportit në ambientet universitare.