FFK: Stadiumet nuk paraqesin problem për pranim

148

Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, njëherësh edhe president i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se në takimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-së më datë 3 maj, në rendin e ditës do të shqyrtohet edhe kandidatura e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu do të jenë të pranishëm në punimet e Komitetit Ekzekutiv edhe për të lobuar pro anëtarësimit të Kosovës në UEFA, ku pasi të jetë pranuar në Federatën e saj kontinentale , më pas do të pranohet edhe në FIFA.

Mospranimi i deritanishëm i FFK-së në UEFA ka ndodhur për shkak të nenit të vitit 2001, i cili ka kushtëzuar anëtarët e rinj me anëtarësim të shtetit korrespondent në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por ky nen do të shqyrtohet përsëri nga Këshilli i Komitetit Ekzekutiv më 3 maj.

Por, një problem permanent për Federatën Kosovare të Futbollit(FFK), është që në rast pranimi në strukturat ndërkombëtare të futbollit në UEFA dhe FIFA, stadiumet në Kosovë nuk i përmbushin standardet evropiane për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit. Buxheti i federatës ka qenë i pamjaftueshëm për të ndërtuar një impiant bashkëkohor për të zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare.

Ditën e djeshme ka patur një inspektim nga një delegacion i UEFA-s në dy stadiume të Kosovës, në atë të Mitrovicës dhe atë të Prishtinës. Delegacioni tha që këto stadiume nuk i përmbushin kërkesat për ndeshje ndërkombëtare.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Federatës Kosovare të Futbollit, Fazli Berisha, u shpreh se stadiumet kanë disa probleme të menaxhueshme, por pa rrezik për përjashtimin nga ndeshjet ndërkombëtare.

Ai shtoi që gjithashtu Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve si dhe Federata po punojnë në drejtimin e menaxhimit të problemeve në stadiumet e Prishtinës dhe Mitrovicës.

“Stadiumi Adem Jashari ka kapacitetet për ndeshje ndërkombëtare, pasi mos harrojmë që disa ndeshje miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës janë zhvilluar aty”, shtoi Berisha.

Në rast të pranimit, Kosova do të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror.