FFK me idenë për reduktimin e Superligës

281

Superliga e Kosovës në një të ardhme të afërt mund të bëhet me 10 skuadra.

Kjo është ideja që po diskutohet nga Komisionet relevante të FFK-së. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe i pari i FFK-së, Fadil Vokrri para disa ditësh, shkruan Gazeta Sheshi.

Megjithatë, ende nuk është ardhur te ndonjë përfundim. Po shqyrtohen të mirat dhe anët negative që mund të sillte reduktimi i skuadrave.

Gjithsesi, nëse numri i skuadrave do të ishte 10 nga 12 sa janë tani, numri i ndeshjeve do të rritej, me ekipet që do të përballeshin katër herë brenda një edicioni, një herë më shumë sesa tani.

Pra, nëse Superliga bëhet me 10, atëherë do të luheshin 36 xhiro, ashtu sikurse në elitën e futbollit shqiptar.

Megjithatë, nga kjo ekziston rreziku që duelet e ndërsjella mund të bëheshin monoton për vetë skuadrat dhe publikun. Por, nga ana tjetër, edhe cilësia do të rritej.

Andaj, FFK është duke i analizuar këto gjëra për të dalë me një vendim final lidhur me këtë.