FFK-ja fitoi 300 mijë € pa asnjë lojë

365

Ishte viti 2009 kur FFK-ja ia pati shitur të drejtat televizive të Përfaqësueses së Kosovës një kompanie me seli në Zvicër, në vlerë prej 4 milionë e 600 mijë eurosh.

“Kentaro AG” menjëherë e kishte siguruar kontratën, duke i derdhur 300 mijë euro në xhirollogarinë e FFK-së. Ato para janë harxhuar moti, kurse “Kentaro AG” ka falimentuar pa e pritur pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Me rastin është njoftuar UEFA, e cila shumë shpejt do t’ia gjejë FFK-së një blerës të ri, shkruan sot gazeta Zëri

Kësisoj, eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, në të cilat do të garojë edhe Kosova, do ta pasurojnë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) edhe financiarisht.

Përpos të hyrave nga shitja e biletave apo e sponsorëve të ndryshëm, miliona euro pritet të derdhen në xhirollogarinë e FFK-së edhe nga shitja e të drejtave televizive të reprezentacionit kosovar.

 

Ndryshe, në kohën kur FFK-ja kishte nënshkruar kontratë me “Kentaro AG”, pra në vitin 2009, secila federatë kishte të drejtën e shitjes së të drejtave televizive të kombëtares së saj.

Por, viteve të fundit ka hyrë në fuqi një rregull i ri. Tani UEFA i negacion dhe i shet të drejtat televizive të shteteve anëtare të saj e po ashtu i siguron ato dhe pastaj paratë ua shpërndan anëtarëve të saj.

Ky rregull i ri e zuri të pafilluar e të papërfunduar zbatimin e një kontrate dikur të vlefshme të FFK-së me “Kentaro AG”.

Kjo krijoi mjegulli rreth kontratës së moçme të FFK-së me “Kentaro AG” pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Por, falimentimi i kësaj kompanie të njohur realisht heq shumë dilema, duke e lehtësuar zgjedhjen e çështjes, gjë që më së shumti i shkon për shtati FFK-së, e cila qysh moti i ka marrë 300 mijë euro, kurse “Kentaro AG” nuk pati jetë që ta presë anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Për krejt këtë situatë tani është e njoftuar mirë edhe UEFA, së cilës, sipas rregullit të ri i takon t’ia gjejë Kosovës transmetuesin e ndeshjeve kualifikuese, nga i cili proces sigurisht se diçka përfiton edhe vetë shtëpia e futbollit evropian.