FFF tenton t’i amnistojë klubet për borxhet duke zgjeruar ligën!

775

Federata e Futbollit e Kosovës po planifikon zgjerimin e Ligës së Parë. Ky rank i garash  pritet të pësojë jo pak ndryshime, të cilat do të ndikojnë në fatin e shumë skuadrave.

Synohet që Liga e Parë të vazhdojë me dy grupe, A dhe B, por që të kenë nga 12-të skuadra në secilin prej grupeve. Kampionati do të zhvillohej në sistemin e njejtë, sikurse këtë edicion me nga tri ndeshje të ndërsjellta, raporton Gazeta “Sheshi”.

Në këtë mënyrë do të ‘amnistohen’ Vushtrria dhe KEK-u në këtë rast, pasi që ndodhen në pozitat e fundit të Ligës së Parë dhe do t’u vazhdohej ‘mandati’ edhe për një vit të radhës automatikisht.

Por, ‘amnisti’ në këtë rast do të përfitonin edhe klube të shumta, të cilat janë të zhytyra në borxhe te futbollistët. Njëri ndër klubet që ka më së shumti telashe në këtë drejtim është FC Ferizaj.

Komisioni Disiplinor në Federatën e Futbollit e Kosovës mori vendim për ta dënuar këtë klub dhe katër klube të tjera me nga 1,000 euro për shkak të mos shlyerjes së borxheve, ndërkohë që i ‘kërcënoi’ edhe me largim nga liga. Por, në rast të ndryshimeve të formatit të kampionatit, atëherë Ferizaj nuk do të mund të largohet nga liga, pasi që do merret vendimi që asnjë skuadër të mos largohet nga liga.

Në këtë situatë më së keqi e pësojnë futbollistët, të cilët ka kohë që janë duke pritur para dyerve të Federatës së Futbollit të Kosovës për t’u gjetur ndonjë zgjidhje.

LEXO gjithashtu edhe:

EKSKLUZIVE: FFK planifikon zgjerimin e Ligës së Parë, ja si ndryshon formati!

Gazeta “Sheshi” ka tentuar të kontaktojë me zyrtarët e FFK-së, por kontakti i tyre përmes e-mail adresave tash e një kohë është i pamundur, pasi që në asnjërën nga pyetjet e drejtuara nuk ka marrë përgjigje.

Gjithsesi mbetet për t’u parë nëse ky propozim do të dikustohet edhe në mbledhjen e radhës të KE dhe do të vendoset për të ndryshuar formatin e këtij ranku të garave.

/Gazeta Sheshi/