“Europiani pa tifozë do të ishte katastrofë”

138

Sulmet terroriste që tronditën Parisin dhe Brukselin nuk e trembin trajnerin e Gjermanisë, Joachim Low, i cili parashikon një europian të qetë edhe pse e pranon që rreziku i atentateve ekziston, jo vetëm për futbollin.

“Askush nuk dëshiron të luajë në një stadium të boshatisur. Do të ishte një katastrofë e vërtetë nëse do të ndodhte dhe këtë duhet ta themi me zë të lartë. Siguria në stadiume dhe ambjentet masive janë shumë të rëndësishme për organizimin e këtij turneu”.

Trajneri i Gjermanisë është një nga dëshmitarët e asaj çfarë ndodhi në muajin Nëntor në Paris pasi në miqësoren kundër Francës, u evitua një katastrofë e pamendueshme në “Stade De France” ku terroristët tentuan të hynin. Pak ditë më pas edhe miqësorja e planifikuar kundër Holandës në Hannover u anulua për shkak të një alarmi për bombe.

“Jetojmë në një moment shumë delikat ku rreziku qëndron pas derës dhe në këtë mes nuk është vetëm futbolli sepse të rrezikuar janë të gjithë njerëzit”.

Në prag të miqësores kundër Anglisë, masat e sigurisë përreth stadiumit olimpik të Berlinit janë shtuar.