Euroleague, fiton Fenerbahce, Reali pranë eliminimit

120

Pas humbjes që pësoi në Zagreb përballë Cedevitas, Fenerbahce Ulker u rikthye te fitorja në Euroleaguen e basketbollit. Skuadra e trajnerit Obradovic tashmë e kualifikuar në ruandin e 8 më të mirave, fitoi derbin turk përballë Anadolu Efes, duke sanksionuar eliminimin e këtyre të fundit nga Euroleague dhe duke vulosur njëkohësisht avancimin në cerekfinale të Crvena Zvezdës. 90-86 ishte rezultati i kësaj sfide në favor të Fenerbahces që iu fal paraqitjes së dy basketbollistëve të saj më të mirë, italianit Luigi Datome dhe serbit Bogdan Bogdanovic. I pari realizoi 24 pikë ndërkohë që Bogdanovic, i ndihmoi të tijët me 21 pikë dhe 5 asiste. Po në grupin E, arriti fitoren e 3-t radhazi Panathinaikos, që mundi në Athinë me rezultatin e thellë 76-60, Cedevitan e Zagrebit.

Pas kësaj fitoreje skuadra greke vazhdon të mbajë vendin e 3-të teksa është kualifikuar matematikisht në fazën tjetër. Nuk bën skonto Cska e Moskës që në grupin F, shpartalloi lituanezët e Zalgiris Kaunas me shifrat 100-86. Fantastik francezi Nando De Colo për skuadrën ruse me këtë të fundit që koleksionoi në total 26 pikë 7 rebound dhe 3 asiste. Për Cska-në e Moskës, vendi i parë në grupin F, është më afër pas këtij suksesi. Ndeshja më bukur e mbrëmjes gjithsesi u zhvillua në Spanjë aty ku Laboral Kutxa fitoi derbin ndaj Realit të Madridit falë një trepikëshi të realizuar në fund nga Bertans. Një humbje që djeg shumë në kampin e Los Blancos pasi kampionët në fuqi të Europës tashmë rrezikojnë seriozisht elimininimin që në këtë fazë të turneut. Në suksesin me shifrat 89-88 të Laboral Kutxas më i miri mbi parket për skuadrën baske rezultoi amerikani James me 27 pikë.