Erdogan: Një prej sulmuesve të Brukselit u kap në Turqi, Belgjika e liroi

128

“Një prej terroristëve që goditi aeroportin e Brukselit u arrestua në Turqi në vitin 2015 dhe u deportua në Belgjikë në muajin qershor të po atij viti, por autoritetet belge i injoruan paralajmërimet tona.”

Është kjo deklarata e ardhur nga Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili bën me dije se Brahim el-Bakroui, terroristi që hodhi veten në erë në aeroport, u ndalua në qytetin Gaziantep, shumë pranë kufirit jugor me Sirinë afro dy vite më parë. Sipas tij, autoritetet belge nuk i morën në konsideratë sinjalizimet e ardhura nga homologët e tyre turq dhe e lanë të lirë kamikazin që goditi aeroportin.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrtarëve të Belgjikës, të cilët kanë deklaruar se nuk mundën të gjejnë asnjë lidhje mes tij dhe organizatave terroriste, ndaj vendosën që të mos e mbanin më të deportuarin nga Turqia.

Braim el Bakroui, është personi që gjëndet në mesin e dy terroristëve të tjerë, në foton e publikuar nga policia e Belgjikës. Ai dyshohet se ka humbur jetën gjatë shpërthimit kamikaz. Ndërkohë, mediat belge kanë raportuar se në bazë të analizave të AND-së terroristi në të djathtë Najim Laachraoui i cili deri më tani mendohej se ishte në arrati, mund të ketë qenë kamikaze i dytë që ka humbur jetën. Nga ana tjetër, terroristi i vetëm i paidentifikuar mbetet personi në të majtë, që dyshohet të jetë në arrati.

Ndërkohë, ende ka hije dyshimi për Khalid el-Bakroui vëllain e terroristit Ibrahim që hodhi veten në erë në aeroport.

Prokuroria raportoi fillimisht se Khalid mund të kishte humbur jetën nga shpërthimi kamikaze në metronë e Brukselit, por së fundmi në faqen zyrtare në internet, shfaqet një foto e tij ku thuhet se Khalid është në kërkim.