El Clasico: Show Messi-Ronaldo, por Zidane rrezikon

140

Lionel Messi përballë Cristiano Ronaldo. Kjo është sfida ndërmjet dy yjeve të futbollit botëror, që mbrëmjen e së shtunës do të nxehë El Clasico-n në Camp Nou. Një duel që vështirë se do të jetë përcaktues për titullin, me Barcelonën që duket e pandalshme drejt triumfit, por që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Zinedine Zidane.

Një sfidë speciale kjo për Zizou, që në El Clasicon e parë si trajner do të ketë përballë Luis Enrique-n, pas debatit të ashpër në fushë 13 vjet më parë, kur ishin protagonist në të njëjtat skuadra, por si futbollistë. “Nou Camp” është gati për të festuar dhe tifozët shpresojnë të përjetojnë një tjetër triumf, pas suksesit 4-0 në fazën e parë të kampionatit, që i kushtoi stolin Rafa Benitez.

10 pikët avantazh që katalanët kryesues në La Liga kanë nga rivalët e përjetshëm janë tregues i diferences ndërmjet dy skuadrave në këtë sezon, por në El Clasico mund të ndodhë gjithçka. Kjo është supersfida e parë pas ndarjes nga jeta e Johan Cruyff dhe Barça kërkon të vazhdojë ta nderojë legjendën e klubit, me një fitore përballë Realit.

Në orën 20:30, blaugranat e Messit, Luis Suarez e Neymar nisen favoritë. Jo sepse treshja sulmuese e madrilenëve me Bale, Benzema e Cristiano Ronaldo vlen më pak. Diferencën e bën rendimenti. Luis Enrique e ka shndërruar tiki-takan e Guardiolës në një mënyrë loje më vertikale. Në anën tjetër, Reali mbetet peng i tekave të presidentit Florentino Perez. Ndryshimet e shpeshta të trajnerëve ndikojnë që skuadra të mos ketë vazhdimësi, duke bërë që kualiteti dhe talenti i jashtëzakonshëm që skuadra zotëron, të jetë i çrregullt në fushë dhe të mos marrë më të mirën.