E pabesueshme kjo që ka bërë Icardi

153

Me golin e shënuar në portën e Frosinones, Mauro Icardi arriti kuotën e 50 golave të shënuar me Interin. Një vazhdimësi fantastike, mbi të gjitha kur kujton që sulmuesi argjentinas i ka realizuar në 100 ndeshje. Mesatarja e Icardit, me 0,5 gola të shënuar për ndeshje është mbresëlënëse. Mbi të gjitha kur kujton se bomberi është vetëm 23-vjeçar. Sido që të jetë, mosha e re, nuk e ndalon Icardin ti bashkangjitet emrave më të mëdhenj të historisë së klubit zikaltër. Madje, statistikat tregojnë se ai qëndron përpara lojtarëve legjendarë si Diego Milito apo Mazzola, të cilët kuotën e 50 golave e kanë arritur pas 110 ndeshjeve.

Me ecurinë e tij, Mauro Icardi është thuajse në të njëjtat nivele si Samuel Eto’o dhe Zlatan Ibrahimovic. Kamerunasi arriti 50 gola të shënuar pas 98 ndeshjeve te zikaltërit, ndërsa suedezi pas 96 prezencave në fushë. Por, arritja e Icardi-t ka vlerë edhe për faktin se Interi nuk po përjeton ditët më të mira. “Një goditje, një vrasje” është kthyer në sloganin e sulmuesit. Një bomber i vërtetë, që detyrohet të shfrytëzojë maksimalisht rastet e pakta për gol të krijuara nga shokët e tij të ekipit. Interi nuk shkëlqeu as përballë Frosinones dhe në pjesën më të madhe të lojës Icardi u detyrua të vraponte, pa u shërbyer me top. Por, në mundësinë e parë të krijuar, kapiteni i zikaltërve nuk gaboi, duke i dhuruar tri pikë me peshë të besuarve të Mancinit.