E humbën ndeshjen me rezultat zyrtar, Istogu shkarkon këtë zyrtar të klubit

1033

Istogu ka pësuar humbje zyrtare në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës 0-3 nga Dukagjini.

Deri te kjo erdhi shkaku që futbollisti vendas Erion Ceta u paraqit në fushë me dy kartonë të verdhë.

Kësisoj FFK e përjashtoi nga garat e Kupës së Kosovës dhe Dukagjini është finalisti i parë.

Pas këtij lëshimi, te Istogu kanë marrë masa dhe sekretari i deritashëm Fatmir Hakaj është shkarkuar.

Njoftimi i plotë nga klubi:

KOMUNIKATË ZYRTARE

Me anë të kësaj komunikate, FC ‘Istogu’ , ju njofton se nga sot sekretari i deritanishëm, z.Fatmir Hakaj, nuk do të jetë më pjesë e klubit tonë.

Klubi ka vendosur që ta shkarkojë nga pozita e sekretarit z.Fatmir Hakaj, i cili ishte pjesë e klubit që nga viti 2009.

Ky shkarkim i sekretarit vije pas lëshimit të madh që e ka bërë në mesjavë në ndeshjen e gjysmëfinales së Kupës, Istogu – Dukagjini, ku si pasojë e gabimit të tij tashmë ne jemi diskualifikuar nga Kupa e Kosovës. Një gabim i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në klubin tonë dhe nuk është dashur të ndodhte. Pasi dihet që puna primare e sekretarit të klubit është mbajtja e evidencës së ç’do protokoli të ndeshjeve.
Përgjegjësinë për këtë lëshim e mbanë vetëm sekretari i klubit, dhe nuk mund të akuzohet asnjë njeri tjetër në klub!
Falënderojmë sekretarin z.Fatmir Hakaj për kontributin e dhënë në këto 12 vitet e fundit.

Ne si klub jemi ende të shokuar për këtë që ka ndodhur!

Ne si klub ç’do ditë jemi duke punuar shumë që ta ngrisim profesionalizmin në ç’do aspekt dhe të ngritemi sa më lartë si klub.

Presidenti i klubit z.Faton Bytyqi me sinqeritetin më të madh i kërkon falje së pari futbollistëve dhe stafit të trajnerëve, më pas qytetarëve të Istogut dhe tifozëve istogas, për gjithë këtë që ka ndodhur.
Të gjithë jemi mjaft të zhgënyjer më këtë ndodhi!

FC Istogu
Istog, 9 Prill 2021

/Gazeta Sheshi/