Dy yjet e Tiranës i japin fund aventurës me “bardhekaltërit”, zbulohet arsyeja e “divorcit”

703

Agustin Torasa dhe Elton Cale nuk janë më pjesë e Tiranës.

Dy amerikano-latinët ndajnë rrugët me kampionët e Shqipërisë dhe tani janë lojtarë të lirë. Kanë qenë vetë dy futbollistët, të cilët kanë pranuar për “Panorama Sport” ndarjen me 25 herë kampionët e Shqipërisë. Historia ka qenë pak a shumë e njëjtë. Lojtarëve u është kërkuar përgjysmimi i rrogës, por askush nuk ka pranuar.

ARGJENTINASI – Agustin Torasa nga ana e tij ka sqaruar vendimmarrjen që ka bërë së bashku me klubin bardheblu. Argjentinasi ka treguar në detaje se çfarë ndodhi dhe përse Tirana ndau rrugët me lojtarin më të mirë të sezonit të titullit. “Nuk do të jem më pjesë e Tiranës. Është mbyllur tashmë kjo histori. Rrugët tona u ndanë. Patëm një diskutim mes palëve. Më ofruan uljen e rrogës. Isha dakord në parim që të më ulej një pjesë. Do të pranoja ndoshta 20-30%, por nuk ishte e thënë. Klubi kërkoi përgjysmim të rrogës dhe nuk mund të kishte diskutime. Prano ose lër. Në këto kushte vendosëm që të ndanim rrugët”, tha në fillim Agustin Torasa.

Argjentinasi më pas u shpreh se mbeti i zhgënjyer, pasi shpresonte që të rrinte te bardheblutë. Gjithsesi, tani ai pranon vendimin dhe po mendon për më tej. “Të them të vërtetën u zhgënjeva që nuk firmosa. Doja të qëndroja edhe një sezon te Tirana, por kjo është jeta. E pranoj që unë dhe të gjithë këtë sezon nuk dhamë maksimumin. Shumë gjëra shkuan keq dhe nuk jam vetëm unë fajtori. Të gjithë ishim nga pak fajtorë këtë sezon. Fundja ky është futbolli”, vazhdoi më tej argjentinasi i bardhebluve. E ardhmja është në Shqipëri apo jashtë vendit? Vetë Torasa thotë që më shumë mendja është për jashtë, por nuk përjashtohet mundësia edhe në Shqipëri nëse ka ofertë serioze. “Sytë i kam nga ofertat. Po shoh me kujdes. Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim”, mbylli Agustin Torasa.

BRAZILIANI– Tirana dhe Elton Cale ndajnë rrugët e bashkëpunimit. Ka qenë vetë lojtari brazilian që ekskluzivisht për “Panorama Sport” e ka konfirmuar një fakt të tillë. I pyetur nga gazeta për të ardhmen, Elton Kaleja pranon se rrugëtimit të tij me Tiranën i ka ardhur fundi. Nuk ka dashur që të komentojë më shumë veçse të deklarojë se është lojtar i lirë.

“Përshëndetje, jam lojtar i lirë”, tha Cale. Braziliani nuk sqaroi më shumë për të ardhmen, nëse kishte folur me presidentin Halili. Gjithsesi, duket se nga dje kanë nisur seleksionimet te Tirana. Kale luajti dy sezone te Tirana dhe në Superiore shënoi 7 gola me fanellën bardheblu, duke u aktivizuar rreth 3000 minuta. Në fushë ka qenë 46 ndeshje. Në Kupën e Shqipërisë me fanellën e Tiranës dy gola dhe 5 takime në 250 minuta. Në fund mbi 250 minuta në Europë dhe tri ndeshje në Champions dhe Europa League. Në fakt, Kale nuk luajti shumë këtë sezon, sepse operoi dy herë shpatullën. Kjo, me sa duket, ishte edhe pika e ndarjes me bardheblutë. Tirana gjithashtu kërkoi ulje rroge, fakt që nuk u pranua nga Elton Cale.

VANGJELI – E njëjta situatë është me Kristi Vangjelin. Lojtarit i është kërkuar ulje rroge, por mbrojtësi nuk është se e ka pëlqyer një fakt të tillë. Ende nuk ka ndonjë ndarje përfundimtare, por duket se rrugët janë ravijëzuar: ndarje pas dy sezonesh.