Dueli i shqiptarëve/ Balaj i përgjigjet golit të Rrahmanit, ndëshkohet me të kuq

154

Bekim Balaj dhe Amir Rrahmani ishin protagonistët kryesor me golat e tyre në ndeshjen mes RNK Split dhe Rijekës, e përfunduar me rezultatin 1-2.

Fillimisht, Mario Gavranoviç gjeti rrugën e rrjetës për miqtë në minutën e 32′ të pjesës së parë, njofton Panorama Sport.

Pas kalimit në avantazh të Rijekës, Rrahmani barazoi shifrat 1-1 në minutën e 45′. Pjesa e parë u mbyll në barazim, por ekipi i Balajt u shfaq më kërkues ndaj golit.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit u aktivizua në pjesën e dytë dhe në minutën e 74′ realizoi golin e avantazhit, duke i dhënë tri pikë mjaft të vlefshme Rijekës në tabelën e klasifikimit të Ligës së Parë kroate (52).

Dy minuta më pas, sulmuesi shkodran ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë fushën e lojës, ndërsa goli i tij përcaktoi edhe fatin e takimit.

Aktualisht, Rijeka ndodhet 2 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Dinamo e Zagrebit, ndërsa ekipi i Rrahmanit RNK Split, ndodhet në vendin e katërt me 36 pikë.