Drita e fiton edhe finalen e dytë, një hap afër titullit

207

Klubi i volejbollit Drita shënoi fitore edhe në finalen e dytë të serisë të play-offit, kur në Prishtinë mposhti vendaset e M-Technologie me rezultat 3:0 në sete.

Pas triumfit të së premtes në Gjilan, mysafiret kanë shfaqur paraqitje akoma më të mirë në ndeshjen e dytë.

Pavarësisht rivalitetit të hershëm, Drita arriti të shkëputet te shifrat 12:10 në setin e parë, të cilin e mbylli me fitore prej 25:19.

Edhe seti i dytë fillon shumë i barabartë, por ky rivalitet nuk zgjati shumë. Gabimet e shumta të formacionit të M-Technologie, i kushtuan me ngecje në 18 pikë, duke i mundësuar Dritës epërsi prej 2-0 në sete.

Seti i tretë ishte periudha më e zbehtë e ekipit të drejtuar nga Naser Krasniqi, jo vetëm në këtë ndeshje, por nga dy finalet e play-offit.

Kufizimi në vetëm 13 pikë, problemet e shumta në formën e dy kubanezeve dhe humbja e 4 pikëve rradhazi pës mosvendosje të rregullt në fushë, ishin lëshime që i kushtuan me humbjen e thellë 25:13.

Drita tash avanson 2 me 0 në serinë e finaleve dhe është një fitore larg fitores së titullit të kampionit për edicionin 2020/21. Ndeshja e tretë finale, pritet të zhvillohet të enjten, më 15 Prill 2021 nga ora 15:00 në Pallatin e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.