Drenica e kënaqur me punën e Sermaxhajt, trajneri mund të jetë pjesë edhe për sezonin e ri

357

Skuadra e Drenicës ka marrë disa rezultate të mëdha në xhirot e fundit, duke u larguar kështu nga zona e kuqe dhe zona e barazhit.

Drenica ishte në zonën e rrezikshme, por që pas ardhjes së trajnerit Sami Sermaxhaj, klubi nga “Bajram Aliu” ka grumbulluar pikë të mëdha, të cilat e kanë larguar nga presioni dhe normalisht rreziku i madh për të rënë nga Superliga e Kosovës.

Tek skuadra e Drenicës, janë jashtëzakonisht të kënaqur me trajnerin, Sami Sermaxhaj, andaj ai mund të jetë trajner i klubit edhe në stinorin 2021/22.

Kryetari i klubit të Drenicës, Ilir Veliqi zbuloi se kontrata ishte që ai të nënshkruajë për tre muaj, me mundësi vazhdimi.

Ai gjithashtu potencoi se klubi është i kënaqur me punën e trajnerit, i cili arriti të motivojë lojtarët.

“Në fillim kur jemi marrë vesh që ai të bëhet kryetrajner i Drenicës, kemi biseduar që fillimisht të jetë trajner për tre muaj, pra deri në fund të stinorit. Qëllimi ishte që të motivojnë lojtarët dhe të marrim më të mirën e tyre, gjë që Sami Sermaxhaj e ka arritur mjaft mirë. Poashtu në marrëveshje kemi diskutuar që ai të jetë trajner deri në fund të sezonit, por me mundësi të vazhdojë edhe për një vit. Ne jemi të kënaqur me punën e tij, këtë po e tregojnë edhe rezultatet. Sa i përket rinovimit, trajneri do të vendosë objektivat për transferime dhe do të bisedojmë, ku do të shohim mundësinë se a do të mundemi t’ia plotësojmë kushtet”, konfirmoi kryetari i Drenicës, Ilir Veliqi për ‘GazetaBlic Sport’.

Vlen të potencohet se Drenica është në vendin e gjashtë në renditjen tabelare me 42 pikë. Në dy xhirot e ardhshme, Drenica do të përballet me Dritën dhe Trepçën 89′.