Djokovic e Murray, në raundin e 4-t të “Miami Open”

117

Nëse vazhdon me këto ritme, Novak Djokovic ka shanse të mëdha që pas disa ditësh të barazojë rekordin e amerikanit Andre Aggassi përsa i përket trofeve të fituar në turneun Masters të Miamit. Numri 1 i  Botës dhe njëkohësisht kampioni i dy edicioneve të fundit mbi cimenton e Floridas u kualifikua shumë thjeshtë në raundin e 4-t të Miami Open. Djokovic mundi në dy sete duke humbur në total vetëm 5 game, portugezin Joao Sousa, në një sfidë që zgjati vetëm 1 orë e 18 minuta lojë. Me rezultatin 6-4, 6-1 tenisti serb u kualifikua në raundin e 1/8-ave ku do të masë forcat me austriakun Dominic Thiem, transmeton Super Sport.

Avancoi më tej edhe numri 2 i Botës, britaniku Andy Murray, i cili kaloi gjithashtu në 2 sete tenistin nga Uzbekistani Denis Istomin. Surprizën e vërtetë të ditës e dhuroi francezi Lucas Pouille, me këtë të fundit që mposhti pas një ndeshjeje spektakolare 2-1 me sete veteranin spanjoll David Ferrer. Fantastik Richard Gasquet. Numri 10-t të Botës iu nevojit më pak se një orë lojë për të triumfuar në derbin francez përballë Benoit Paire, ndaj të cilit humbi vetëm 3 game. Në Miami Open ishte dita e tenistëve francezë pasi edhe Gilles Simon u kualifikua në raundin e 4-t, pasi mundi në set final, kroatin Marin Cilic. Vijon forma fantastike e belgut David Goffin i cili eliminoi eliminoi shumë thjeshtë serbin  Viktor Troicki, ndërkohë që u kualifikua për më tej edhe Thomas Berdych.