Dita e Superligës, këto ndeshje të zjarrta na presin sot

340

Kampionati elitar po vije drejt fundit, teksa nesër do të zhvillohet edhe java e 34-të në Superligën e Kosovës, shkruan Gazetasheshi.com.

Kjo e diele (sot) do të jetë më ndryshe nga javët e kaluara, pasi për herë të parë këtë sezon do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e elitës në të njëjtën ditë dhe orar.

Njëra nga sfidat më interesante dhe vendimtare do të jetë përballja e dy rivalëve për titull ndërmjet Dritës dhe Ballkanit. Ndeshje e cila zhvillohet në Gjilan do të jetë një sfidë me rivalitet mjaftë të madh, pasi të dy skuadrat do ta kërkojnë vetëm opsionin fitore, ndryshe çdo rezultat tjetër do të jetë në dobi te Prishtinës.

Duel vendimtar pritet të jetë edhe në “Fadil Vokrri”, aty ku Prishtina do ta mirëpres Feronikelin. Kryeqytetasit janë shumë afër titullit pas 8-të viteve pa fituar dhe një fitore eventuale ndaj industrialistëve do të jetë një hap ende me afër titullit. Kurse skuadra nga Drenasi këtë sezon nuk i ka aspak punët mirë, madje skuadra e cila po udhëhiqet nga Faruk Elshani, në Prishtinë nuk udhëton me duar në xhepa, pasi ende nuk janë larguar nga zona e kuqe.

Përballje jetike do ta ketë Trepça ’89, e cila nuk di për fitore që pesë xhiro dhe përballja ndaj Gjilanit në “Riza Lushta”, do të jetë një duel me presion të lartë për mitrovicasit, pasi në rast rezultati tjetër përveç fitores rrezikon shumë rënien në Ligën e Parë. Ndërsa skuadra e Ismet Munishit, edhe në këtë ndeshje do të jetë pa presion, pasi është në pozitë komode dhe nuk rrezikon asgjë.

Duel me intesitet të lartë do të zhvillohet edhe në Gjilan, pasi në shtëpinë e re Arbëria do të jetë konak i Drenicës. Dobrajasit ende janë në lojë për të mbetur në elitë dhe fitorja e fundit në udhëtim tek Ballkani, i ka dhënë motiv të lartë, kurse ndaj kuqezinjëve do të luajnë vetëm për tre pikë. Triumfin nga kjo ndeshje e kërkon edhe skuadra e Sermaxhajt edhe pse janë në pozitën e pestë, ende nuk kanë siguruar ikjen nga barazhi apo edhe mbetjen në elitë, ndërkohë ndaj “stuhisë së kuqe” do të mundohen të nxjerrin pikët maksimale për të qenë me komod në përballjet e fundit.

Në Podujevë skuadra e rënë edhe zyrtarisht nga elita, Besa, do të mundohet të krijoj befasinë e radhës, tani ndaj Llapit, e cila është në finale të Kupës së Kosovës, por që në Superligë ende nuk e ka krijuar komoditetin e mbetjes në elitë. Llapjanët në këtë takim do të hasin me një kundërshtar të vështirë në fushë dhe qëllimi i tyre është fitorja, ndërsa pejanët pasi befasuan Dritën dhe Trepçën ’89 do të tentojnë t’i nxjerrin edhe probleme skuadrës së Tahir Batatinës.

Superliga – Java e 34-të:

E diele – 15:00

Drita – Ballkani

Prishtina – Feronikeli

Arbëria – Drenica

Trepça ’89 – Gjilani

Llapi – Besa

/GazetaSheshi/