Dita e lëvizjes pa viza për Kosovën është afër, thotë Zhbogar

145

Janë bërë shumë lojëra politike por është momenti që udhëheqësit e Kosovës të shohin Kosovën si interesin kryesor.

Kjo ka qenë porosia e Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së BE-së në Prishtinë, i cili, gjatë një diskutimi në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë tha se partitë e koalicionit dhe opozita duhet ta kenë primare Kosovën dhe duhet të pranohet që koalicioni e ka shumicën.

“Opozita e luan një rol shumë të rëndësishëm. Liderët e vendit duhet të vendosin se çka është më e mira për Kosovën dhe qytetarët që ata të shohin të ardhmen në Kosovë dhe kjo arrihet përmes dialogut mes partive”, ka thënë Zhbogar, raporton KTV.

Sipas tij, ajo çka i duhet Kosovës duhet është ekonomia dhe vendet e reja të punës.

“MSA, e cila hyn në fuqi më 1 prill, është arritja më e madhe dhe kontrata e parë mes Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje do të fuqizojë ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit. Varet nga Kosova që ta bëjë këtë marrëveshje që të funksionojë për qytetarët e saj”, potencoi shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Më tej, ai tha se është i vetëdijshëm që qytetarët e Kosovës presin me padurim lëvizjen pa viza në vendet e BE-së.

“Mezi prisni dhe e meritoni të udhëtoni të lirë në BE… dhe kjo ditë është afër”, u shpreh Zhbogar, duke theksuar se në rrugën e liberalizimit të vizave, “Kosova ka kryer shumë reforma dhe qëndron në një pozitë të mirë për shkak të këtij procesi i cili ka qenë i gjatë”.

Shefi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, theksoi se BE është partneri më i madh i Kosovës. Këtë ai e mbështeti në fondin prej 650 milionë eurosh që do t’i jepen Kosovë në 7 vjetët e ardhshme.

“Kjo është dëshmi që BE kujdeset për Kosovën”, tha Zhbogar.

Më tej, Zhbogar foli edhe për sfidat e përbashkëta të Kosovës dhe të BE-së, të cilat, sipas tij, nisin nga migrimi e shkojnë deri tek terrorizmi.

“Kemi parë shumë të rinj që kanë shkuar në Siri dhe Irak. Pas tragjedive nëpër Evropë është e qartë që kjo luftë kundër ekstremizmit fetar është e përbashkët”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar. /koha.net/