Disa studime mbi shëndetin

161

Duhanpirja ndryshon bakteret e gojës

Duhanpirja ndikon jashtëzakonisht keq në shëndetin e gojës, duke ndryshuar në mënyrë drastike mikroklimën në të cilën gjenden rreth 600 baktere. Në këtë mënyrë mund të favorizojë sëmundjet e gojës dhe të aparatit tretës, por gjithçka normalizohet me lënien e duhanit, veçanërisht për bakteret e gojës. Ky është rezultati i dalë nga studimi i kryer nga Langone Medical Center, publikuar në “International Society for Microbial Ecology Journal”. Studiuesit kanë ekzaminuar 1204 mostra gargare të përdorura nga burrat dhe gratë, shëndeti i të cilëve është tashmë duke u monitoruar në kuadër të studimeve për rrezikun e kancerit. Vullnetarët ishin të gjithë 50 vjeç ose më shumë: 112 ishin duhanpirës , 571 ish-duhanpirës dhe 521 nuk kishin pirë kurrë duhan. Rezultatet treguan se grupi i baktereve në gojë të duhanpirësve ishte shumë i ndryshëm: Më shumë se 150 lloje kishin pasur një rritje të konsiderueshme, ndërsa në 70 të tjera një reduktim i madh. Studimi tregoi gjithashtu se lënia e duhanit mund të rivendosë ekuilibrin e baktereve në gojë.

 

Dieta vegjetariane ndryshon ADN-në

Dieta vegjetarianë mund të ndryshojë ADN-në? Sipas disa shkencëtarëve të Cornell University, përgjigja është Po!. Studimi i publikuar në revistën “Molecular Biology and Evolution” shpjegon se njerëzit që për qindra breza kanë mbajtur një dietë vegjetariane kanë zhvilluar kryesisht një mutacion gjenetik për të rritur rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës. Mutacioni ndodh në genin “FADS2”, që kontrollon prodhimin e acideve yndyrore në trup. “Kjo” -thotë Tom Brenna, profesor në Cornell “është shfaqur në gjenomin e njeriut kohë më parë dhe është transmetuar në brezat e njëpasnjëshëm, në popullatat që janë ushqyer me një dietë vegjetariane”. “Ata që kanë paraardhës vegjetarianë kanë më shumë gjasa për të patur karakteristikat gjenetike të lidhura me një metabolizëm më të shpejtë të acideve yndyrore, për shkak të bimëve”, thonë studiuesit. Megjithatë, si efekt zinxhir, ky mutacion rrit gjithashtu prodhimin e acidit arachidonic, i cili ka lidhje me rritjen e sëmundjeve inflamatore dhe kancerit – kur kombinohet me një dietë të pasur me vajra bimorë, të tilla si vaj luledielli. “Mesazhi për vegjetarianët është i thjeshtë”, -shton ai, “të përdorin vajra bimorë me përmbajtje të ulët të acidit linoleik Omega 6 , të tilla si vaji i ullirit.”

Ndryshimet klimaterike kërcënojnë trurin

Ndryshimet klimaterike nuk kërcënojnë vetëm shëndetin e zemrës dhe mushkërive por edhe trurin. Sipas një studimi të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prezantuar edhe Shtëpisë së Bardhë, ngrohja globale do të shkaktojë gjithnjë e më shumë viktima jo vetëm për shkak të valës së të nxehtit e problemeve të frymëmarrjes, por sepse do të shkaktojë probleme të shëndetit mendor, sikurse janë depresioni, ankthi dhe stresi. Sipas studimeve të kryera nga qindra shkencëtarë që punojnë në tetë agjenci qeveritare të SHBA-ve, valët e të nxehtit të shkaktuara deri tani në SHBA kanë shkaktuar 700-1300 vdekje në vit dhe pritet se mund të shkojnë deri në 11 mijë viktima në vit deri në 2030, si dhe deri në 27 mijë në 2100.

Kategoritë e personave më të rrezikuar janë gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit, të varfrit, emigrantët, invalidët, të sëmurët kronikë dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura. Sakaq, studiuesit shpjegojnë se ndryshimet klimaterike janë një kërcënim shumë i madh për shëndetin mendor të personave, të cilët mund të përballen me fenomene natyrore të përsëritura sikurse janë përmbytjet, uraganet etj.

Pirja e ujit djeg kaloritë, hidraton muskujt

Pirja e ujit djeg kaloritë dhe hidraton muskujt, duke i mbajtur ata më aktivë. Sipas studimit më të fundit, pirja e 1 deri në 3 gota uji në ditë mund të heqë 68-205 k kalori në ditë, përveçse për të zvogëluar konsumin e natriumit, sheqerit dhe yndyrave të ngopur. 18.300 amerikanë i janë nënshtruar këtij studimi, zhvilluar nga Universiteti i Iliniosit dhe publikuar në “Journal of Human Nutrition and Dietetics”. Secilit pjesëmarrës i është kërkuar të raportojë se çfarë kanë ngrënë dhe pirë për dy ditë rresht, nga ku është përllogaritur edhe sasia e ujit të përditshëm të konsumuar. Autorët shpjegojnë edhe arsyet pse uji ka si fuqi djegien e kalorive: Kështu sapo pihet uji, temperatura në organizëm shkon nga 22 deri në 37 gradë Celcius dhe kjo ngrohje është në gjendje të djegë yndyrën te meshkujt dhe karbohidratet te femrat. Një efekt i ngjashëm u gjet në vitin 2011 nga një grup kërkimor izraelit, pas një studimi të zhvilluar te fëmijët meshkuj të moshës 8 deri 11 vjeç, të cilët ishin mbipeshë. Studiuesit kanë përshkruar një mesatare në rritje prej 25 % në normën e metabolizmit pas pirjes së ujit, ku për 10 ml/kg temperatura rritej 4°C: Efekti filloi brenda 24 minutave pas hyrjes së ujit në organizëm dhe zgjat mesatarisht 40 minuta. Shkencëtarët theksojnë rritjen e rolit të metabolizmit, duke hidratuar muskujt, çka e bën automatikisht edhe mik të shëndetit dhe sigurisht mirëqenies tonë.

Terapia me qeliza staminale “riparon” problemet e zemrës

Qelizat staminale të palcës së kockës janë në gjendje të “riparojnë” zemrën e pacientëve me insuficiencë kardiake të rëndë apo të paaftë për të pompuar gjakun. Mjekët kanë marrë qelizat staminale nga palca e kockës së pacientit, më pas i kanë kultivuar në epruveta për t’i injektuar në zemrën e pacientit, përmes një ndërhyrjeje mini-invazive. Studimi është publikuar në revistën prestigjioze “Lancet”, bërë prezent gjatë takimit të përvitshëm të Institutit Amerikan të Kardiologjisë. Eksperimenti, i cili përfshiu 126 pacientë, po vazhdon prej vitesh dhe tani është shumë premtues sepse zbulon një alternativë terapeutike për pacientët me keqfunksionim të zemrës në pritje të një transplanti. Sipas studiuesve, një terapi e tillë ka sjellë në reduktimin e rreth 37% të problematikave kardiake. Insuficienca kardiake karakterizohet nga mungesa e aftësisë së zemrës për të pompuar gjakun dhe në këto raste pacienti ka vështirësi në kryerjen e disa aktiviteteve, ka probleme me organet periferike për shkak të mungesës së oksigjenit dhe ushqyesve të tjerë. Personat me këto probleme kanë të domosdoshme kryerjen e transplantit, ndaj dhe ky studim jep shpresë për një alternativë trajtimi për ta.