De Biasi: Ja kush është shefi i dhomave të zhveshjes

115

Shqipëria mbetet një skuadër intriguese dhe mjaft interesante për Francën. Kjo edhe për faktin se pas miqësoreve në kualifikuese, kuqezinjtë do të përballen me gjelat më 15 Qershor në Marsejë, në ndeshjen e dytë të grupeve në Euro 2016.

Në qendër të vëmendjes për mediat franceze janë trajneri De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana. Ky i fundit një idhull për tifozët, por mbi të gjitha një lider për skuadrën në fushën e lojës dhe jashtë saj. Cana i shton eksperiencës së jashtëzakonshme dhe lojës luftarake, edhe këshillat e orientimet për shokët e ekipit. Kjo ndodh edhe në Kombëtare, ku roli tejet i rëndësishëm i kapitenit është vlerësuar nga trajneri Gianni De Biasi.

“Përsa i takon eksperiencës, ai është shefi ynë në dhomat e zhveshjes. Kur kam nevojë që të më kuptojnë disa lojtarë të cilët nuk flasin italisht, Loriku është përkthyesi im”, tha trajneri kuqezi. Ndër të tjera, De Biasi foli edhe për zgjedhjen e Canës që të luante me Nantes në Ligue 1. Trajneri nënvijëzoi se “pavarësisht moshës 32-vjeçare dhe disa problemeve fizike që ka kaluar në këtë sezon, Loriku mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm” për Kombëtaren.

“Nuk kemi mbërritur rastësisht në Kampionatin Europian. Jemi një grup me mjaft cilësi dhe mbi të gjitha kemi konceptin e skuadrës”, ishte deklarata e De Biasit që shërben si një paralajmërim për francezët. Gjithashtu, drejtuesi i stolit kuqezi tha se “Shqipëria ka disa lojtarë të mirë, që nga Zvicra kanë kaluar në Serinë A italiane”.

/Super Sporti/