Dallku, eksperti i Kupës së Kosovës

460

Armend Dallku është vetëm në vitin e dytë si trajner, pasi u pensionua si futbollist aktiv.

Ai e nisi te Prishtina në edicionin 2019/2020, kur Mirel Josa ishte larguar, ndërsa Bylbyl Sokoli e kishte lënë skuadrën në ‘rrugë’.

Aventura si trajner te Prishtina ka qenë e suksesshme për Armend Dallkun, edhe pse nuk arriti ta fitojë titullin ose ta sigurojë Evropën përmes kampionatit.

Por në anën tjetër Dallku arriti ta fitojë Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale Ballkanin, me rezultat 1-0.

Edhe përkundër këtij suksesi, nuk mjaftoi që Dallku të qëndrojë te Prishtina, duke ia treguar derën.

Por shpejt Armend Dallku me stafin e tij Artan Luzin dhe Agon Ramadanin u angazhuan te Dukagjini.

Trajneri vushtrrias ishte afër një suksese të madh, që të ngiste direkt në Superligë skuadrën e Dukagjinit, por duket se tani do t’i duhet të luajë në barazh.

Por Dukagjini për herë të parë në histori të klubit është në finale të Kupës së Kosovës.

Edhe kjo një meritë e Dallkut që për të dytin vit me radhë, në të njëjtin vend, do të tentojë trofeun e lakmuar nga shumë klube. Dallku po del të jetë ekspert në garën e Kupës së Kosovës.