Çollaku: Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim, pret vendimin meritor

141

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti sot në takim një delegacion me anëtarë të Parlamentit Shtetëror të landit Nordrhein Westfalen të Gjermanisë, njëkohësisht anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, i kryesuar nga Nicolaus Kern, kryetar i këtij komisioni.

Në takim u diskutua për raportet dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se me deputetët e këtij delegacioni, ministri Çollaku ka diskutuar edhe për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke thënë se institucionet në vend janë të përkushtuara për implementim të saj brenda afateve të parapara.

Çollaku ka falënderuar delegacionin për mbështetjen e shtetit gjerman për Kosovën në të gjitha fushat, që kanë ndikuar në zhvillimin politik e socio-ekonomik të vendit.

“Duke u nisur nga potenciali ekonomik që ka landi- Nordrhein Westfalen i Gjermanisë, bashkëbiseduesit kanë nënvizuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik duke ofruar përkrahjen për tërheqje të investitorëve nga ky land”, thuhet më tej në komunikatë.

Ministri Çollaku ka diskutuar me mysafirët edhe për procesin e liberalizimit të vizave duke theksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe se është në pritje të një vendimi që do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës që sa më shpejtë të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen. /KosovaPress/