Cilat janë shkeljet procedurale gjatë zgjedhjes së presidentit, sipas AAK-së

154

Nëpërmjet një komunikate, AAK ka radhitur shkeljet që mund të jenë gjatë procedurave për zgjedhjen e Hashim Thaçit president i Kosovës.

Sipas AAK-së, Hashim Thaçi ka bërë shkelje pasi para se të zgjedhet president nuk ka dhënë dorëheqje publike nga postet që mban, është votuar nga një parlament që ka jo 120 deputetë, por 119. Pastaj, kryetari i Kuvendit nuk ka raportuar për mungesën e deputetëve, si dhe nuk është plotësuar kushti i një kundërkandidati, pasi kundërkandidati i tij Rafet Rafuna ka votuar për Thaçin në tri raunde e votimit.

Më poshtë lexoni të plotë arsyetimin e AAK-së:

E para zt. Hashim Thaçi, mund ta ketë shkelur kushtetutën, menjëherë pas zgjedhjes sepse nuk ka bërë dorëheqje publike nga postet e mëparshme, siç e parasheh Kushtetuta. Ai këtë e ka bërë me disa ditë vonesë, dhe në një rast të tillë ka bërë shkelje të kushtetutës. Kushtetuta nuk parasheh shkelje të mëdha ose të vogla. Ai, ose e ka shkelur kushtetutën ose jo. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, thuhet se presidenti i zgjedhur nuk mund të mbajë asnjë post tjetër dhe Hashim Thaçi, të paktën për disa ditë, i ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Partisë Demokratike dhe atë të zvkryeministrit dhe ministrit të jashtëm.

E dyta Hashim Thaçi është votuar në një parlament i cili nuk i ka pasur 120 deputetë, por 119. Me Kushtetutën e vendit thuhet se vendi i zbrazët në Parlament duhet të plotësohet menjëherë, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Pas dorëheqjës së deputetit Ramush Haradinaj, Presidentja e vendit ka kërkuar nga KQZ, që ta certifikojë Ali Berishën në vendin e zbrazët, me disa ditë vonesë dhe pas votimit të presidentit.

E treta, Kryetari i Kuvendit nuk ka raportuar se sa deputetë mungojnë në seancën e votimit të presidentit. Sa prej tyre janë të përjashtuar, sa prej tyre mungojnë pa arsye dhe sa prej tyre mungojnë me leje, nëse ka pasur të tillë. Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese në “Rastin Pacolli”, thuhet se të 120 deputetët e Kuvendit duhet të jenë në sallë, përpos atyre që janë liruar me arsye dhe me leje të Kryetarit të Kuvendit. Në rastin e votimit të Hashim Thaçit president, nuk është zbatur as kjo normë e përcaktuar me interpretim të Gjykatës Kushtetuese.

E katërta, nuk është plotësuar kushti i një kundërkandidati për president, ku zt. Rafet Rama, i propozuar nga Kryetari i Kuvendit dhe i arsyetuar nga deputetja Ganimete Musliu, qyshë gjatë seancës ka rezultuar të jetë farsë.

Vetë kundërkandidati për president zt. Rafet Rama, ka deklaruar se ai në të tri raundet e ka votuar kundërkandidatin e tij në këtë votim.

Deputetja Ganimete Musliu, që në fillim e kishte arsyetuar kandiadturën e zotit Rafet Rama për president, po në të njejtën seancë e ka tërhequr arsyetimin e saj dhe ka bërë thirrje që të votohet Hashim Thaci e jo Rafet Rama, duke thënë se edhe ajo përsonalisht do ta votojë Hashim Tha[in, gjë që e ka lënduar tej mase kushtin themelor që për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, të paktën duhet të jenë dy kandidatë.

Dhe së fundi, pushimet e pajustifikueshme ndërmjet raundit të parë, të dytë dhe të tretë të votimit, kanë krijuar një hapësirë dyshimi se janë bërë me qëllim të ndërhyrjës në vullnetin e deputetëve për të votuar, sepse ka pasur një ndryshim të madh nga rezultatet e votimit të parë me atë të votimit të tretë.

Të gjitha këto do të duhej të ishin arsye të mjaftueshme që çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës (Hashim Thaçit) të dërgohej në Gjykaten Kushtetuese.