Cikalleshi i qëndron mbrapa postimi të bërë, thotë se FSHF-ja dhe Reja e duan Bytyqin

131

Sokol Cikalleshi e ndërmorri hapin e parë që Zymer Bytyqi të ftohej te Kombëtarja e Shqipërisë.

E gjitha nisi kur në një ndeshje në kampionatin turk, Bytyqi asistoi për Cikalleshin i cili shënoi.

Sulmuesi shqiptar pastaj në një postim në rrjetin social Instagram i bëri ftesë publike anësorit nga Kosova që t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë.

Në pyetjen se si erdhi deri te ai postim, Cikalleshi tha se vazhdon t’i qëndrojë atij postimi të bërë.

“Është një postim që unë akoma i qëndrojë atij postimi. Zymeri është një talent me një karrierë shumë të mirë dhe besoj do të bëjë hapa gjigant në karrierën e tij”.

“Duhet të bëjë punë të palodhshme çdo ditë dhe do të ketë karrierë të madhe”, tha Cikalleshi.

“Besoj se për Kombëtaren shqiptare do të ishte një prurje e madhe pasi do të na ndihmonte shumë për t’i arritur objektivat”.

Tutje sulmuesi nga Kavaja deklaroi se FSHF dhe trajneri Reja e duan sulmuesin në radhët e Kombëtares së Shqipërisë dhe se ftesa mund t’i shkojë për ndeshjet e qershorit.

“Unë jam në dijeni se federata shqiptare është shumë afër për ta ftuar atë dhe po ashtu edhe trajneri e ka në syrin e tij. Do të doja që ai të ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, për mos të thënë se në qershor do të jetë pjesë e jona”, u shpreh Cikalleshi në një prononcim për Telegrafin.