Canio dhe Bergomi me kritika të ashpëra për Anglinë: Skuadër pa identitet, ishin zhgënjyes ndaj Skocisë

181

Analistët e Sky Sport Italia, Paolo Di Canio dhe Beppe Bergomi, kanë thënë një zëri se janë të zhgënjyer me atë çfarë tregoi Anglia ndaj Skocisë.

Tre Luanët luajtëN baras pa gola ndaj Skocisë në Wembley këtë mbrëmje, me skocezët që kishin raste më të mira.

Fillimisht ka Di Canio, që ka luajtur në Ligën Premier te West Ham United, duke i dhënë merita Skocisë për ndeshjen.

“Skocia bëri shumë mirë duke marrë parasysh potencialin e tyre, por ne ishim shumë të zhgënjyer me Anglinë”.

“Ata kanë shumë lojtarë të talentuar, por ata nuk kanë identitet, lëvizje, shpikje, guxim për të bërë një pasim kërkues, thjesht nuk është në ADN-në e tyre”.

“Kur mesfushorët qendrorë nuk mund të luajnë, ata kanë nevojë për Stonesin ose dikush që luan nga prapa. Ai nuk është Bonucci, por duhet të provojë. Nuk janë vetëm lojtarët, por edhe trajneri duhet t’u tregojë atyre se po bëjnë shumë vrapime të gabuara në kohë të gabuar”, deklaroi Di Canio.

Ai kishte edhe kritika për Harry Kanen, që sipas tij nuk po jep maksimumin e tij.

Në anën tjetër Beppe Bergomi, që fitoi Kupën e Botës në vitin 1982 me Italinë, ka thënë se ka një ndryshim të madh midis Anglisë së Gareth Southgate dhe Italisë së Roberto Mancini.

“Kjo është një situatë ku nuk ka asnjë ide, asnjë plan. Kur ke talentë që punojnë së bashku për ekipin, atëherë del edhe më e mira e individëve”.

“Anglia, të jem i sinqertë, më zhgënjeu këtë mbrëmje”, deklaroi ish mbrojtësi i njohur.