Cale largohet nga Tirana: Ndoshta gjeni një super lojtar, por asnjëherë si unë

566

Elton Cale largohet zyrtarisht nga Tirana. Mesfushori brazilian i ka dhënë lamtumirën bardhebluve përmes një postimi në Instagramin e tij.

Ai falënderon presidentin Halili për mundësinë e dhënë, si dhe nuk harron të përmendë tifozët e shumtë kryeqytetas. Kujton titullin kampion me Tiranën si dhe fitoren e thellë 5-1 kundër Partizanit. Mes falënderimeve, Cale shkruan:

“Provova mos të shkruaja lamtumirë, por qenka e pamundur. Nuk mund të ndryshoj planet e Zotit. Faleminderit president Refik Halili për mundësinë që të luaj me KF Tirana.

Tani ju jeni shumë tifozë të çmendur atje (në kuptimin e mirë), ju jeni të mahnitshëm, faleminderit për emocionet e dhuruara. Unë gjithmonë kam bërë më të mirën time sa herë që kisha veshur fanelën bardheblu, e cila gjithmonë do të mbetet e veçantë për mua.

Ndoshta një tjetër super lojtar do të vijë, por jo si unë. Unë po largohem duke lënë një trofe kampioni me një 5-1 të paharrueshëm. Kështu që unë e kreva punën time. Faleminderit shumë. Elton Cale dhe familja ime”, shkruan ai.

Kujtojmë që Cale ishte pjesë e Tiranës prej dy sezonesh. Një edicion më parë dha një kontribut të rëndësishëm në fitimin e titullit kampion, ndërsa në këtë sezon që lamë pas, problemet fizike e kondicionuan mos të ishte në formën e tij më të mirë.