Bunjaki për Januzajn: E ka derën hapur

293

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki ka komentuar shkrimet e medieve belge se Adnan Januzaj nuk është i kënaqur me tretmanin nga Kombëtarja e Belgjikës dhe pas pranimit të FFK-së në UEFA, do t’i kthehet vendlindjes së babait.

“I kam parë shkrimet e atyre medieve. Dyert e Përfaqësueses tonë janë të hapura për të gjithë futbollistët, sidomos për ata që shprehin dëshirë të jenë pjesë e jona e veçmas për ata që na përshtaten në këtë moment”, theksoi Bunjaki për Gazetën Sheshi.

Ai pohon se Januzaj është lojtar i dëshmuar dhe do t’i kryente shumë punë Kosovës.

“Ne jemi duke e pritur Kongresin e UEFA-së të 3 majit për të nisur pastaj procedurat tjera me futbollistë tjerë. Janë çështje që duhet të shikohet nëse lojtarët kanë drejt ose jo të luajnë për Kosovën dhe marrin kohë 2-3 muaj, por kjo nuk sjell ndonjë problem”, përfundoi Bunjaki.

Kosova pritet të pranohet në UEFA në kongresin e 3 majit në Budapest e pas kësaj automatikisht edhe në FIFA pas nëntë ditësh.

Në këtë mënyrë, Përfaqësuesja e drejtuar nga Bunjaki do të kishte të drejtë pjesëmarrje në kualifikimet për Botërorin “Rusi 2018”.