Berisha zbulon shumëçka: Challandes nuk e mbajti këtë premtim që ma dha, kthehem te Kosova vetëm kur ai e realizon premtimin

417

Bernard Berisha ka thënë se do të kthehet te Përfaqësuesja e Kosovës, nëse Bernard Challandes do e mbajë premtimin që ia ka dhënë.

Të premten mbrëma, Bernard Berisha ka qenë i ftuar në emisionin “Euro Kampionët”, ku mes tjerash ka folur edhe për situatën e tij te “Dardanët”.

Ish-futbollisti i Besës së Pejës nuk u ftua nga Challandes për katër miqësoret e qershorit, teksa lidhur me këtë ai tha:

“Realisht jam i befasuar, sepse unë jam munduar gjithë jetën time të tregohem i sinqertë me të gjithë. Ajo se çfarë nuk më pëlqen është sepse unë kam bërë një sezon shumë të mirë edhe është dashur që dikush nga njerëzit e Federatës ose trajneri të më kontaktojë dhe të tregojë arsyet. Realisht janë lojë miqësore dhe unë e kam pranuar këtë. Kam thënë që duhet të provohen lojtarët e rinj, por është joprofesionale mënyra se si veprojnë sepse unë jam munduar të bëj diçka për Kosovën. Kam lënë shumëçka për Kosovën dhe nuk e meritoj këtë trajtim, mosrespekt”.

Tutje, 29-vjeçari nga Peja tha se edhe kur është ftuar te Kosova, ka pasur probleme me klubin e Akhmat Groznyt, shkaku se ai nuk ka luajtur.

“Edhe kur jam ftuar kam pasur shumë probleme te klubi. Trajneri duke i ditur cilësitë që i kam, gjithmonë ka thënë ‘Pse ti nuk luan?’. Edhe nuk nuk kam ditur çfarë arsye t’i them sepse realisht trajneri [Challandes] nuk ka pasur biseda me mua… nuk e di pse” – shtoi tutje Berisha.

Bernard Berisha zbuloi se Bernard Challandes i kishte premtuar atij se do të këtë minuta më shumë në lojë, por ky premtim u thye më vonë.

“Një bisedë në Shqipëri që kemi pas, ka thënë që ‘ne duhet t’i harrojmë ato se çka kanë ndodhur, ti ke me pas minutazhen tënde’. Prap se prapë, kur jemi kthyer, ai [Challandes] prap me të njëjtin mendim” – u shpreh Berisha, duke folur në vazhdim për gjestin që kishte bërë pas golit të shënuar ndaj Greqisë: “Nëse është ndjerë i ofenduar me gjestin që kam bërë, unë publikisht i kërkoj falje. Por, mendoj që ka qenë e vetmja mënyrë që me i tregu që edhe unë jam këtu. Realisht nuk më është dhënë mundësia aq sa e kam merituar”.

Tutje, futbollisti që luan në elitën e futbollit në Rusi tha se do të kthehet te Kosova, vetëm nëse Bernard Challandes e realizon premtimin.

“Nuk kthehesh në Kombëtare derisa Bernard Challandes është trajner?” – ishte pyetja drejtuar Berishës, i cili u përgjigj duke thënë:

“Jo, unë nuk e kam thënë këtë. Ka shumë lojtarë që janë të pakënaqur me mënyrën se si trajtohen. Unë do të kthehem, por vetëm nëse ai e mbanë atë premtimin çka ne e bisedojmë. Nuk është e drejtë mënyra se si komunikon me ty dhe pastaj vjen në grumbullim dhe kam një komunikim tjetër. Kjo nuk më pëlqen dhe realisht nuk e kam parë gjatë gjithë karrierës time. Kur t’i thuash lojtarit që e harrojmë këtë dhe po provojmë diçka të re, atëherë duhet me mbajtë përgjegjësi. Mendoj që trajneri nuk është treguar shumë i drejtë në këtë aspekt ndaj meje”.

Kosova në shtator luan tri ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Botëror. Fillimish “Dardanët” luajnë në udhëtim te Gjeorgjia, pastaj presin në shtëpi Greqinë dhe Spanjën.

Lidhur me ftesën për këto ndeshje, Berisha tha: “Unë do t’i përgjigjem selektorit vetëm kur të më telefonojë. Nuk e kuptoj pse heziton ai me pas komunikim me mua, unë e kërkoj një komunikim me të. Por, është trajneri ai që duhet të flasë me lojtarin. Ai vetëm le të më thotë ‘Bernard, nuk llogarisë në ty’ dhe unë e pranoj. Unë i kam thënë se nëse nuk më sheh si lojtar, mos më fto. Ai më fton dhe prapë nuk më jep mundësinë”.

Vlen të theksohet se Bernard Berisha është ndër lojtarët e parë që ka pranuar të mbrojë ngjyrat e Kosovës.