Barcelona vjen në Kosovë

160

Klubi i njohur futbollistik Barcelona do të shkelë edhe në Kosovë. Këtë do ta bëjë përmes kampeve që ofrojnë shanse për të mësuar rreth elementeve teknike dhe taktike të futbollit, me të njëjtat metoda që përdoren te klubi i Barcelonës nga yjet e këtij ekipi.

Modeli i Barcelonës po rritet anembanë botës, ndërsa në faqen zyrtare të gjigantit spanjoll, është bërë e ditur se pjesë e projekteve të katalunasve do të jetë edhe Kosova.

Kampi i Barcelonës në Kosovë pritet të mbahet në fundin e muajit maj, teksa të drejtë për të marrë pjesë kanë fëmijët e të dy gjinive, nga mosha tetë deri në 16 vjeçare, ndërsa do të pranohen gjithsej vetëm 250 fëmijë.

Kjo do të jetë hera e parë që mbahet një kamp i tillë në Kosovë nga ky klub.

Kampi është paraparë që të mbahet në fushat e KF KEK-ut në Kastriot, teksa lojtarët më të mirë të kampit do të kenë mundësi që vitin e ardhshëm të qëndrojnë një javë në hapësirat e Akademisë së Barcelonës në Spanjë.