Barcelona: Edhe kaq para kanë mbetur për merkato

197

Mbrojtësi i majtë Lucas Digne sot u zyrtarizua si lojtari i tretë i transferuar te Barcelona gjatë kësaj vere, por kjo lëvizje nuk e ka mbingarkuar aspak buxhetin e klubit për merkaton e sezonit të ardhshëm. Këtë e garanton drejtori i marrëdhënieve institucionale sportive të katalanasve, Albert Soler. Transferimi i 22-vjeçarit nga PSG-ja kushtoi 16.5 milionë euro, duke shtuar edhe 4 milionë të tjera në formë shpërblimesh.

“Ne kemi 23-25 milionë euro të mbetura për transferimet dhe për nevojat tona sportive”, – u tha sot Soler gazetarëve. “Je jemi në gjendje të bëjmë blerja të tjera dhe, nëse nuk e ndiejmë të nevojshme, do të kemi buxhet shtesë për merkaton e ardhshme”, – shtoi ai.

Soler lavdëroi tejmase lojtarin e rikthyer në Katalonjë, Denis Suarez, i cili ka ardhur në formë të mirë nga skuadra e Villarealit. “Suarez na ka bindur që në ditën e parë. Jemi të kënaqur për transferimin e tij. Më duhet të them se dënimi i FIFA-s për transferimet ka pasur më shumë impakt në planifikimin e klubit për akademinë sesa për skuadrën A. Ne do të donim të kishim më shumë produkte nga akademia, por kjo nuk është gjithmonë e mundur”, – përfundoi ai.