Aleix Vidal dhe Keylor Navas, nxehin El Clasicon

163

Nga njëra anë Aleix Vidal ndërsa në krahun tjetër Keylor Navas, lufta deklaratave për El Clasicon e kësaj të Shtune ka nisur. Te Barcelona ëndërrojnë që edhe në Camp Nou të përsërisin fitoren 4-0 të ndeshjes së fazës së parë që u zhvillua në Santiago Bernabeu. Për ta kuptuar dicka të tillë mjafton të dëgjosh sesi shprehet Aleix Vidal. Ish futbollisti i Sevillas i cili u afrua te skuadra katalanase verën e kaluar, këtë të Shtunë nëse aktivizohet nga trajneri Luis Enrique do të luajë El Clasicon e tij të parë, dhe përshtypjet e Vidal përpara kësaj sfide janë nga më të mirat.

” E dimë që është një ndeshje speciale. Nuk kam patur fatin të fitoj ndaj Realit të Madridit në të kaluarën dhe shpresoj që të jetë këtë të Shtunë hera e parë. E dua me cdo kusht këtë fitore për të nderuar ashtu sic duhet një legjendë si Johan Cruyff. Nuk do ta kemi të thjeshtë përballë Los Blancos, por do të bëjmë maksimumin për ta cuar në 13 pikë avantazhin ndaj Realit në klasifikim. Firmos për përsritjen e rezultatit 4-0 të ndeshjes së parë por do të jetë shumë e vështirë ta realizojmë sërish dicka të tillë”.

Por nëse te Barcelona janë të bindur për suksesin e tyre, optimizmi nuk mungon as në shtëpinë merengues. Portieri i Realit Keylor Navas nënvizoi se ky është momenti më i mirë që madrilenët të marrin revanshin për atë disfatë të thellë të pësuar në fazën e parë të La Ligas.

” E shikojmë këtë ndeshje si një mundësi të bukur për të fituar një sfidë të rëndësishme. Në momentin që ndodhemi një fitore në El Clasico do ta ndihmonte mbi të gjitha për moralin dhe për të patur sa më shumë besim në aftësitë tona pasi vetëm kështu mund ti bënim mbylljen më të mirë këtij sezoni. Cfarë lloji ndeshjeje pres? Do të jetë një El Clasico shumë i luftuar me të dyja skuadrat që do të synojnë deri në minutën e fundit ta fitojnë ndeshjen”.