Akord total, Alegri rinovon pas ndeshjes në “Allianz Arena”

133

Juventusi dhe Masimiliano Alegri do të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre.

Pas disa lëvizjeve, bisedimeve në prapaskenë dhe tentativave të Çelsit, por edhe klubeve të tjera si Reali i Madridit, duket se trajneri livornez është bindur që të qëndrojë në Torino, duke pranuar ofertën e fundit të ardhur nga drejtuesit bardhezi.

Drejtori Xhuzepe Marota dhe 48-vjeçari kanë shqyrtuar planet aktuale të klubit dhe ata të së ardhmes, pas të cilave kanë rënë dakord që të zgjasin kontratën, e cila pritet të ketë si datë skadence 30 qershorin 2019, kundrejt marrëveshjes aktuale, 2017.

Për më shumë, Masimiliano Alegri do të përfitojë edhe një rritje page, gati dyfishin e asaj aktuale, duke kaluar nga 2.7 milionët, te 4.9 milionë eurot neto sezonale.

Dhe nga Torino garantojnë gjithashtu se firma në kontratën e re do të vijë menjëherë pas ndeshjes me Bajernin e Mynihut. Kjo zgjedhje është një sinjal që tregon vlerësimin e madh të stafit drejtues të Juventusit për teknikun livornez, pavarësisht se cili do të jetë rezultati në “Allianz Arena”.