Abuzimi me refugjatët, Australia mohon raportet

224

Më shumë se 2000 raporte sekrete të zbuluara nga mediat tregojnë në detaje abuzimin dhe traumën mes fëmijëve dhe femrave në qendrën australiane të ndalimit të emigrantëve, në ishullin e Paqësorit, Nauru. Këto raporte për incidente të ndryshme në kamp, të publikuara nga gazeta britanike “The Guardian”, tregojnë se dhuna dhe lëndimet që refugjatët i shkaktojnë vetes për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike, janë të zakonshme.

Gjithashtu, ka shumë raporte edhe për sulme seksuale ndaj femrave në kamp. Raportet për incidentet e shumta në kamp janë shkruar nga punonjësit e tij, përfshirë roje, anëtarë të administratës dhe mësues. Ato datojnë nga maji i vitit 2013 deri më tetor 2015. Fakti që qeveritë e Australisë dhe Naurut ruajnë sekretin mbi kushtet në qendër ka sjellë shumë anskesa nga mediat dhe grupet e të drejtave të njeriut.

Në raportet e punonjësve të kampit flitet për shumë raste të refugjatëve që lëndojnë veten dhe që mendojnë apo përpiqen që të vetëvriten. Ato gjithashtu flasin për shumë raste sulmesh seksuale, sidomos ndaj femrave të reja dhe gjithashtu kërkimin e favoreve seksuale nga to në këmbim të cigareve apo marijuanës.

Por, sipas qeverisë australiane, shumë prej këtyre raporteve janë akuza të pakonfirmuara. Zyrtarë australianë thanë se Australia i beson qeverisë së Naurut për shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e refugjatëve dhe se janë marrë të gjitha masat që ata të ndihen sa më mirë në kamp.

Gjithsesi, këto fjalë bien në kundërshtim të plotë me sjelljen e autoriteteve që nuk kanë kryer asnjë hetim zyrtar në kamp, nga ku raportet e vetme për abuzime vijën nga hetime të mediave.

/ Top Channel