​Vetëvendosje nuk do te marre pjese ne seancen e Kuvendit neser

201

Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të jetë e pranishme as në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet nesër.

Për dallim nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila tashmë ka marrë vendim për braktisje të Kuvendit, zyrtarë të VV-së paten deklaruar se pjesëmarrja e tyre në seancë do të varet nga pikat e rendit të ditës, për të pamundësuar, siç thonë ata, kontrabandimin e temave të rëndësishme për vendin.

Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka konfirmuar për “KosovaPress”, se ata nuk do të jenë të pranishëm në seancën e nesërme. “Ne nuk do të marrim pjesë nesër në seancë“, tha Krasniqi.

Ndryshe, në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, do të jenë 10 pika të rendit të ditës, ku mes tjerash do të jetë edhe përzgjedhja e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurorimit Publik (OSHP), gjë e cila dështoi në seancën e kaluar, pasi që deputetë të LDK-së, nuk votuan propozimet për anëtarë të bordit të OSHP-së.