​Tirana forcon sigurinë në aeroport, bagazhet kontrollohen me qen antieksploziv

164

Sulmet terroriste në aeroportin e Brukselit kanë shtuar vigjilencën edhe të autoriteteve të sigurisë shqiptare.

Në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit kanë mbërritur efektivë dhe makina policie të cilët po patrullojnë zonën dhe po mbikëqyrin lëvizjen e udhëtareve në terminal.

Autoritetet ushtrojnë kontroll të rreptë te bagazheve, me aparatura dhe qen anti-eksploziv. Në ambientet e brendshme janë shtuar patrullimet e forcave të rendit.

Reagimi: Policia Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pasagjereve për shtimin e kontrolleve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Masat shtesë të sigurisë në aeroportin e Rinasit janë ndërmarrë pas akteve të terrorit, ndodhura sot paradite në Belgjikë.

Autoritetet ushtrojnë kontroll të rreptë të bagazheve, me aparatura dhe qen anti-eksploziv. Në ambientet e brendshme janë shtuar patrullimet e forcave të rendit. Gjithashtu, pranë aeroportit janë vendosur forcat e posaçme te FNSH, për të shmangur çdo incident dhe garantuar siguri për qytetarët.

Ndërkohë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njofton se më datën 22 Mars 2016, avioni i linjës Tiranë – Bruksel – Paris që operohet nga Adria Airways, me 42 pasagjerë në bord, është nisur nga Tirana sot në orën 6.47 dhe është ulur në Paris, në aeroportin “Charles de Gaulle”.

Zbritja në Bruksel – destinacion në programin e fluturimit të kësaj linje – u anullua pas ngjarjeve të mëngjesit të sotëm në kryeqytetin belg. Avioni Bombardier CRJ 900 u ul me të gjithë pasagjerët në destinacionin e radhës, Paris.