ZYRTARE: Xhaka me shokë s’kanë të drejtë të luajnë për Kosovën

125

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk dëshironte t’i “ngucë” Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin, Valon Behramin, Shani Tarashajn, por edhe kosovarët e Shqipërisë, para se ta kryenin Kampionatin Evropian me Zvicrën e Shqipërinë.

Shtëpia e futbollit besonte se ata do të kenë të drejtë ta zgjedhin Kosovën pas Evropianit “Franca 2016”. Por, ky ka dal të jetë gabim fatal i FFK-së, e cila qe dashtë t’i ftojë yjet menjëherë pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, përkatësisht para Kampionatit Evropian, raporton “Zëri”

FIFA ka konfirmuar se lojtarët kosovarë që kanë luajtur në “Euro 2016” me shtete tjera, pas anëtarësimit të FFK-së në UEFA e FIFA, më nuk kanë pasur të drejtë t’i bashkohen Kosovës. Kështu kishte thënë edhe Granit Xhaka, të cilit nuk i besohej dhe quhej “tradhtar” nga kosovarët, ndërsa pretendimin e Xhakës e kishte hedhë poshtë edhe FFK-ja, e cila thoshte se futbollisti i Zvicrës, bashkë me Behramin, Shaqirin, Tarashajn dhe gjithë futbollistët tjerë kishin të drejtë t’i bashkohen Kosovës.

“Ata futbollistë nuk është dashur të zgjedhin të luajnë për federatën e mëhershme të tyre sepse kanë pasur mundësinë që të zgjedhin ekipet përfaqësuese të FFK-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të FIFA-s.