Zyrtare: Ukraina – Kosova luhet në këtë vend

286

Kërkesa e Federatës së Basketbollit të Ukrainës, që ndeshjen eliminatore për “Eurobasket 2017” kundër Kosovës ta zhvillojë jashtë vendit, nuk do të realizohet.

FIBA Europe, të premten nëpërmjet një emaili të dërguar në Federatën e Basketbollit të Kosovës, ka konfirmuar se ndeshja me Ukrainën do të zhvillohet në kryeqendrën e saj, Kiev. Po ashtu, në këtë konfirmim janë edhe emrat e arbitrave dhe të vëzhguesit të ndeshjes, e cila do të zhvillohet më 14 shtator (19:00), shkruan Koha Ditore.

Kjo ndeshje i takon Grupit E eliminator, në të cilin bëjnë pjesë edhe Sllovenia e Ukraina. Vëzhgues i këtij dueli në është caktuar Merab Ratishvili (Gjeorgjia), kurse treshja e arbitrave do të përbëhet nga Tanel Suslov (Estonia), Lorenzo Baldini (Italia) dhe Pavel Fuska (Sllovakia).

“FIBA na ka dërguar formularët e referëve dhe të vëzhguesit, aty shkruan se ndeshjet do të zhvillohen ashtu siç janë paraparë. Pra, një ndeshje në Kiev dhe tjetra në Kosovë. Këtë konfirmim e kemi pranuar nga administrata e FIBA-s”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha.