Zyrtare: Skënderbeu shkarkon Agostinellin dhe emëron Dajën për trajner

Klubi i Skënderbeut ka zyrtarizuar vetëm sot lamtumirën e trajnerit Andrea Agostineli dhe emërimin e trajnerit Ilir Daja në stolin e ekipit korçar, ndonëse marrëveshjet mes palëve ishin finalizuar gjatë ditës së djeshme, siç ka reportuar në mënyrë të detajuar “Panorama Sport”.

Andrea Agostineli

Nëpërmjet një njoftimi në faqen e Facebook, klubi bëri të ditur se ishte ndërprerë me mirëkuptim kontrata me teknikun italian, pasi pavarësisht besimit që ekzistonte ndaj tij, rezultatet nuk kishin përmbushur pritshmërinë. Ndaj nesër do të prezantohej në krye të ekipit Ilir Daja, i cili ka për detyrë të mbrojë titullin kampion për klubin korçar para se të konfirmohet për dy sezone të tjera në drejtimin e Skënderbeut.

skenderbeu

Njoftimi i Skënderbeut

Pas dy fazave të para, drejtuesit e Klub Futboll ‘Skënderbeu’ kanë arritur të zgjidhin me mirëkuptim kontratën me teknikun italian Andrea Agostineli.

Pavarësisht besimit që trajneri kishte nga drejtuesit, rezultatet e deritanishme që skuadra ka arritur nuk shkojnë për shtat me objektivat e klubit, ndaj i urojmë suksese Agostinelit në karrierën e tij!

Skuadra do të nisë përgatitjet në Antalia në datën 6 janar dhe në krye të pankinës është zyrtarizuar trajneri Ilir Daja, prezantimi të cilit do të bëhet në datën 4 janar në orën 12:00 në rezidencën e kampionëve në “Tropikal Resort” në Durrës!