Zyrtare: Miratohet rregulli për zëvendësimin e katërt

257

Futbolli që njihnin baballarët tanë ka ndryshuar paksa në vitet e fundit. Ndëshkimi me karton të kuq pas fyerjes së gjyqtarit, spraji në përcaktimin e murit bllokues në goditjet e dënimit, teknologjia te porta për golat e dyshimtë apo heqja e kartonëve të verdhë për finalet e kompeticioneve janë disa prej vendimeve dhe risive në sportin më popullor në glob. Në këtë rrjedhë ndryshimesh, tani vjen një rregull tjetër i madh. Në vitin e ardhshëm në FA Cup,  skuadrat do të mund të bëjnë edhe zëvendësimin e katërt gjatë një ndeshjeje.

Rregulli i ri do të zbatohet vetëm nga faza çerekfinale e më tej dhe bëhet fjalë vetëm për kohën shtesë. Federata Angleze e njoftoi sot këtë ndryshim, duke thënë se organi i bërjes së ligjeve në futbollin botëror, IFAB-i, aktualisht “po zhvillon një studim global mbi këtë propozim” për të implementuar ndryshimin e rregullit ekzistues në çdo kompeticion tjetër.

Shefi ekzekutiv i FA-së, Martin Glenn, tha: “FA Cup-i është i njohur për historinë dhe traditën e vet të madhe, por është e rëndësishme që FA-ja të vazhdojë të kërkojë për mënyra se si të shtojë dramën dhe spektaklin në një kompeticion të dashur për miliona njerëz kudo në botë. Tani që Kupa po përshtat një sistem me eliminim direkt nga çerekfinalet e më tej, lejimi i një zëvendësimi të katërt do të sjellë më tepër intrigë dhe interes.” Epo, miratuam Reformën në Drejtësi. Ta mirëpresim edhe këtë ndryshim!