ZYRTARE: Llapi zyrtarizon rinovimin e Behar Maliqit edhe për edicionin 2019/20

Llapi nuk e ka pritur mëngjesin për të zyrtarizuar rinovimin e mesfushorit Behar Maliqi, shkruan Gazetasheshi.com.

32 vjeçari nga Fushë Kosova ka firmosur edhe për një vit tjetër me llapjanët, teksa ka ndjekur rrugën e Bujar Idrizit e Mentor Zhdrellës që u zyrtarizuan pak orë më parë.

Lajmi është publikuar edhe në faqen zyrtare të klubit llapjan

“Llapi po vazhdon bashkëpunimin me futbollistët që ishin pesha kryesore e skuadrës, kësisoji rrugën e besnikërisë dhe vazhdimin e kontratës edhe për 1 vit e ka bërë edhe mesfushori defanziv, Behar Maliqi.

Behar Maliqi në edicionin që e përmbyllëm ka pasur 28 paraqitje(të gjitha titullar) me Llapin, ka realizuar 4 gola dhe ka asistuar 1 herë”, thuhet në njoftim.

Për Maliqin kishin shprehur interesim disa skuadra të Superligës, në mesin e tyre edhe Ferizaj, por që në fund zgjodhi “Zahir Pajazitin” për ta vazhduar karrierën e tij.

Më parë Maliqi ka luajtur për shumë skuadra në vend si Fushë Kosova, KEK-u, Prishtina dhe Feronikeli, derisa karrierë ka bërë edhe jashtë vendit, teksa për një edicion ishte pjesë e Partizanit të Tiranës.

/Gazeta Sheshi/