Zyrtare: Klubi shqiptar e shkarkon trajnerin pas humbjes

Aventura e Klodian Duros në drejtimin e skuadrës së Kamzës nuk zgjati shumë.

Klubi bëri të ditur mbylljen e bashkëpunimit me të, për shkak të mungesës së rezultateve në Kategorinë Superiore, bën të ditur klubi në faqen zyrtare në Facebook.Vendimin për largimin e Klodian Duros, drejtuesit e Kamzës e morën pas humbjes 3-1, që kjo skuadër pësoi ndaj Teutës pasditen e së mërkurës, për javën e 12 të kampionatit.

“Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro. Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu. Mungesat e rezultateve na detyrojnë të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment”, shkruhet në njoftimin e klubit.

“Trajnerit Klodian Duro, i urojme suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”.

Klodian Duro e mori drejtimin e Kamzës në muajin shtator, në vend të Bledar Devollit, dhe e vetmja fitore që kjo skuadër arriti me të në pankinë ishte ajo me Kastriotin.

Pas 12 javëve në Kategorinë Superiore, Kamza e sheh veten në vendin e 9 të klasifikimit, me 8 pikë të grumbulluara, 4 më shumë sesa Kastrioti i vendit të fundit.