Zymberi: Transferimi i “Bubës” thuajse i pamundur, Drita me të ose pa të synon gjithmonë titullin

Një vizitë e yllit shqiptar Ferhan Hasani në Gjilan ka bërë që e gjithë Kosova t’i kthejë sytë kah Drita në pritje të zyrtarizmit të transferimit të njërit prej futbollistëve më kualitativ shqiptar.

Mirëpo, transferimi i reprezentuesit të Maqedonisë së Veriut te kampionia e Kosovës thuajse është i vështirë për t’u realizuar dhe këtë po e pranojnë edhe drejtuesit e FC Dritës.

Ish ylli i Shkëndijës është aktualisht pa skuadër pasi kontrata me Helsnikun i ka skaduar. Ai dje është parë në Gjilan në një takim me zyrtarë të Dritës, drejtorin Valon Zymberi dhe trajnerin Ardian Nuhiu, i cili po ashtu është nga Maqedonia e Veriut.

Vizita e tij në Gjilan ndodhi pas dështimit të transferimit në Tiranë, me ç’rast Hasani do të bëhej futbollisti më i paguar në historinë e kampionatit shqiptar.

Ferhan Hasani në qytetin e Gjilanit së bashku me ish-bashkëlojtarët e tij dhe drejtuesit e FC Dritës

Për vështirësitë dhe gjasat e këtij transferimi ka folur drejtori sportiv i klubit gjilnas, Valon Zymberi.

“Ferhan Hasani dje ishte mysafir i trajnerit tonë Ardian Nuhiu. Transferimi i tij te Drita është thuajse i pamundur të ndodh. Tjetër është dëshira, e tjetër mundësia. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe natyrisht se do të ishte nder për Dritën sikur ta angazhonte. Por është e pamundur”, deklaroi Zymberi për Gazetën Express.


“Si një lojtar i madh ai ka shumë mundësi tjera më të mëdha, nga shtetet tjera të zhvilluara, nga klubet e huaja që janë në tjetër nivel financiar. Ne besojmë se Drita do të dal kampione në Kosovë edhe pa Hasanin, por ai do të na ndihmonte të kalojmë në një nivel më të lartë, sidomos në Evropë. Por, po e përsëris, pavarësisht dëshirës mundësitë nuk ekzistojnë”,
u shpreh Zymberi.

Por, ai ju premtoi tifozëve të Dritës se klubi bardh e kaltër gjithmonë do të jetë lartë në Kosovës dhe vazhdimisht do të bëj ngritje në nivele.